Site icon Telegrafi

Dhjetë personalitetet që ndryshuan botën në shekullin XX

Ilustrim

Cili është fjalimi i Martin Luther Kingut që ndërroi Amerikën? Kush ishte njeriu që ka mundur të heq Stalinin nga pushteti? A është vërtet Khomeini lideri i cili nisi Lëvizjen anti-perëndimore te shtetet islamike? Pse Marilyn Monroe gjendet në këtë listë? Kush ishte në të vërtetë Ernesto Che Guevara? Kush është mbreti i vetëm të cilin e ka pranuar dhe respektuar Amerika? Për çka do të mbahet në mend Mao Zedong? Pse Albert Einstein tmerrohej prej përparimin teknologjik? Cili ishte urdhëri i fundit i Adolf Hitlerit? Si ngadhnjeu Gandhi ndaj fuqisë më të madhe kolonialiste? Telegrafi sjell listën e dhjetë personaliteteve që ndryshuan botën në shekullin XX …

NOBELIST DHE MARTIR: MARTIN LUTHER KING

King është shumë i njohur në Amerikë sesa në Evropë. Ky me siguri meriton të gjendet në këtë listë sepse veprimtaria e tij politike bëri që të ndryshojë historia në shtetin më të rëndësishëm të epokës sonë, në ShBA. Fjalimi i tij legjendar “I have a dream”, i mbajtur në Uashington, në vitin 1963, para 250 mijë vetave, njihet thuaja përmendësh nga çdo qytetar amerikan.

King ishte prijetar i një lëvizjeje paqësore të llojit gandist, sepse kuptoi që kjo rezistencë mund të bëjë shumë më tepër për përmirësimin e të drejtave të afro-amerikanëve në Amerikë se sa çfarëdo rebelimi i dhunshëm. Përndryshe, King kishte studiuar teologjinë, së pari në Universitetin “Crozer” të Pensilvanisë e pastaj edhe në atë të Bostonit. Në Boston edhe doktoroi, në vitin 1955.

Pas doktorimit, vendoset në një kishë në Alabama. Në fillim, King mendonte që përmes rrugëve legale, mund të ndikojë në ndryshimin e pozicionit të zezakëve, por së shpejti ky kuptoi që në rrethanat e atëhershme, nuk mund të bëhet shumë në këtë mënyrë. Prandaj, vendosi të iniciojë një lëvizje të rezistencës së padhunshme. Kësaj lëvizjeje, me kalimin e kohës, nisën t’i bashkëngjiten edhe qytetarë tjerë të Amerikës, të racave të ndryshme.

Pas fjalimit të tij njëmend të madhërishëm në Uashington, King nisi të çmohej shumë kudo në Amerikë. “TIME” e pat shpallur Kingun “njeriun e vitit”, ndërsa vitin tjetër, më 1964, ai mori çmimin Nobel për Paqe. Megjithatë, Kingu kishte telashe të mëdha dhe atë jo vetëm me pushtetin. Edhe në mesin e afro-amerikanëve kishte të pakënaqur me mungesën e rezultateve konkrete të lëvizjes së tij. Këta shkonin te Malcolm X dhe “Panterët e Zi”, të tij, që predikonin rezistencë me të gjitha mjetet e mundshme. Pastaj, midis të bardhëve, King gjithnjë e më shumë shihej si burim i problemit dhe si një i deleguar i djallit. Po ashtu, edhe tek përkrahësit e tij, gjithnjë e më shumë shtoheshin dyshimet për sukses dhe madje haptazi predikohej ateizmi.

Së fundit, King nisi të flasë edhe kundër inkuadrimit të Amerikës në Luftën e Vietnamit, gjë që po ashtu shihej si problematike në atë kohë.

Martin Luther King u vra me 4 prill të vitit 1968, në Memphis. Për vrasjen e tij u dënua James Earl Ray, i cili më vonë vdiq në burg. Pakkush ka besuar që Ray ka qenë i vetmuar në këtë vrasje, ashtu si në rastin e vrasjes së Kennedyt, kur thuaja askush nuk besonte që Lee Harvey Osvald ishte vrasësi i vetëm i tij.

Në vitin 1999, Gjykata më Memfis e ka shpallur të pafajshëm James Earl Rayin. Vrasësit e njëmendtë të Kingut nuk janë gjetur sot e kësaj dite. Por, dyshimet shkojnë tek pushteti i atëhershëm amerikan dhe shërbimet sekrete të cilat ishin të interesuara të heqin qafe Kingun.

SUNDUESI I GJYSMËS SË EVROPËS: STALINI

“Manifesti i partisë komuniste” i Karl Marksit (Karl Marx), është një nga librat që ndikuan më së shumti në historinë e njerëzimit në shekujt XIX dhe XX. Është një libër i hollë të cilin me siguri nuk e njohin gjeneratat e reja të kosovarëve, edhe pse Kosova, ashtu si edhe gjysma e Evropës, ka jetuar nën komunizëm për gati gjysmë shekulli. Në fund të këtij regjimi, është përpiluar “Libri i zi i komunizmit”, i cili është diku njëzet herë a më shumë më i trashë se “Manifesti”, në të cilin janë përmendur krimet kryesore të bëra në emër të komunizmit në Evropë dhe gjetiu.

Natyrisht, këtu ka pak rëndësi që Marksi dhe miku i tij Engelsi (Friedrich Engels), kur shkruan “Manifestin” mendonin që komunizmi duhet të instalohet në shtetet më të pasura dhe më të industrializuara të Perëndimit, e jo në Rusi dhe në vendet më të varfra të Evropës. Marksi në disa raste me përçmim kishte shkruar dhe folur për Rusinë, por Rusia u bë atdheu i realizimit të ideve të tij.

Revolucioni komunisto-bolshevik do të ndodhë në tetor të vitit 1917 në Petrogradin e atëhershëm (i cili më vonë do të ndërrojë emrin në Leningrad e sërish do të kthehet në Petrograd). Këtij revolucioni do t’i prinë Vladimir Iliq Lenini, një ithtarë i madh i veprës së Karl Marksit. Pas vdekjes së Leninit, në vitin 1924 do të nisë lufta politike për trashëgiminë e tij midis Lav Trockit, Komandantit të Parë të Armatës së Kuqe dhe Josif Visarionoviq Stalinit, i cili kishte studiuar teologjinë për tu bërë pastaj revolucionar. Trocki do të humbë këtë luftë dhe do të dëbohet nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1940, një agjent i NKVD-së (Shërbimit Sekret Sovjetik), do ta vrasë Trockin në Meksiko.

Stalini do të sundojë me “dorë të hekurt” me Bashkimin Sovjetik, por edhe organizatën gjithëkomuniste të quajtur Kominterna. Do të krijojë një mori kampesh përqendrimi, në të cilat do t’i dërgojë miliona armiq të tij. Thuhet që në periudhën e sundimit të tij kanë vdekur në Bashkimin Sovjetik mbi 20 milionë veta.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Stalini dhe Bashkimi Sovjetik do të sundojnë me Gjysmën e Evropës: Prej Baltikut deri në Adriatik, si është thënë atëherë.

Stalini do të vdesë në vitin 1953. Tri vjet më vonë, Nikita Hrushovi, i cili do të dalë si trashëgimtar i tij, do të nisë të kritikojë Stalinin për terrorin e tij. Por, Stalini, sot e kësaj dite vazhdon të jetë politikan i çmuar në Rusi.

Roli i tij ka qenë shumë i rëndësishëm edhe në zhvillimet në këtë pjesë të Evropës. Liderët serbë të asaj kohe kanë thënë që Stalini ka përkrahur idetë që Shqipëria të absorbohet nga Jugosllavia e atëhershme, ndërsa Enver Hoxha, diktatori shqiptar, do të shkruajë të kundërtën: Që Stalini do ta shpëtojë Shqipërinë nga Jugosllavia.

GJITHÇKA NISI NË IRAN: KHOMEINI

Në vitet e shtatëdhjeta të Shekullit XX, Irani ka qenë njëri prej aleatëve kryesorë të Amerikës. Nën udhëheqjen e Shah Reza Pahlavit, Irani ishte një shtet sekular, me lidhje të forta me Perëndimin, çfarë ishte dhe mbeti sot e kësaj dite Turqia. Gratë atëbotë kishin të drejtë vote, urbanizimi dhe industrializimi i Iranit kishte marrë hov të madh, Irani ishte shtet që zhvillohej mjaft shpejtë. Megjithatë, tej kësaj përshtypjeje të parë, gjendja në Iran ishte larg asaj të dëshiruarës. Varfëria e popullatës ishte shumë e madhe, korrupsioni në pushtet i pakufishëm, njëkohësisht, luksi i familjes Pahlavi dhe përkrahësve të tyre tepër provokues. Demonstratat e njëpasnjëshme dhe reagimet e vrazhda të forcave të sigurimit bënë që t’i vijë fundi regjimit të Pahlavit, përkundër përpjekjeve të ShBA-së që disi të ruajë këtë aleat në Azi, i cili aq shumë i nevojitej viteve të shtatëdhjeta.

Pas Pahlavit, në Teheran kthehet Ajatollah Homeini (Sayyid Ruhollah Mūsavi Khomeini), i cili për vite kishte qëndruar në Paris, i dëbuar nga ky regjim. Iranianët e pritën Homeinin si shpëtimtar. Ky nuk vonoi dhe shpalli që në Iran më nuk kanë çfarë të kërkojnë amerikanët. Për më tepër, Homeini cilësoi Amerikën si “djallin e madh”, i cili kundërshton Islamizmin. Studentët ekstremistë iraninë, në vijim të porosive të Homeinit, hynë në Ambasadën e ShBA-së në Teheran dhe kidnapuan 52 diplomatë dhe teknikë të kësaj ambasade. Administrata e presidentit Jimmy Carter u mundua t’i lirojë ata në të gjitha mënyrat: Prej sanksioneve ekonomike deri te përpjekja e pasuksesshme e forcave elite të cilat dështuan, duke lënë prapa tetë ushtarë amerikanë të vrarë në shkretëtirat e Iranit. Pengjet u liruan tek në vitin 1981. Një vit më parë, Irani hyri në një luftë tetëvjeçare me fqinjin Irakun, e cila nuk solli fitues por vetëm qindra mijëra vetë të vrarë.

Ajaltollah Homeini vdes në vitin 1989, duke lënë prapa vetes një shtet fetar. Shembulli i Homeinit dhe Iranit u ndoq nga shumë lëvizje islamiste. Llogaritet që ndikimi i Homeinit ishte njëmend vendimtar në forcimin e lëvizjeve politike dhe fetare në botën islamike, posaçërisht në Afganistanin fqi, i cili në vitet e tetëdhjeta luftonte për çlirimin nga forcat okupatore të Bashkimit Sovjetik.

Sot Irani nuk është më një shtet rigjid fetar, por megjithatë, ai vazhdon të cilëoshte nga Uashingtoni si pjesë përbërëse e “Boshtit të së Keqes”, tok me Irakun dhe Korenë e Veriut.

FEMRA MË E NJOHUR E SHEKULLIT XX: MARILYN MONROE

Mund të thoni që kalimi prej një ideologu dhe fetari, çfarë është Homeini, në një aktore dhe bukuroshe çfarë ishte Marilyn Monroe, është një lloj provokimi i qëllimshëm. Por, Marilyn Monroe e ka vendin në këtë listë sepse ajo ka ndikuar shumë në jetën, filmin dhe kulturën e Amerikës së viteve të pesëdhjeta e të gjashtëdhjeta. Rrëfimi për Norma Jeanin, siç është emri origjinal i Marilyn Monroes, është pak a shumë i njohur për të gjithë juve. Norma Jean u martua herët dhe me siguri jeta e saj do të ishte e mërzitshme dhe aspak interesante për ne, sikur një fotograf, i quajtur David Conover, nuk e zbuloi në fabrikën ku kjo punonte.

Nuk vonoi dhe Norma Jean ndërron emrin në Marilyn Monroe, nënshkruan kontratën me “20th Century Fox”, bëhet biondinë (në “origjinal” ishte abrashe) dhe xhiron filmin e parë “Burrat preferojnë biondinat”, për të cilin merr honorarin në vlerë prej 125 dollarë. Marilyn Monroe, në vijim të popullaritetit martohet me Joe DiMaggian, legjendën e bejsbollit amerikan. Martesa do të zgjasë vetëm nëntë muaj, sepse dallimet në karaktere ishin shumë të mëdha. Edhe martesa tjetër e Monroes, me shkrimtarin e madh amerikan Arthur Miller, do të përcillet me një interesim shumë të madh të opinionit amerikan. Kësaj here, martesa zgjati më shumë, gati tre vjet, por Marilyn u shkurorëzua sërish. Pastaj, ajo u bë e njohur për aferat e saja të dashurisë me presidentin John F. Kennedy dhe vëllaun e tij Robert. Të gjithë mbajnë në mend se si Marilyn i ka kënduar “Happy Birthday Mr.President”, John Kennedyt, për ditëlindje.

Marilyn Monroe do të gjendet e vdekur, në apartamentin e saj, në vitin 1962, kur kishte vetëm 36 vjeçe. Versioni zyrtar i vdekjes së saj është që ajo bëri vetëvrasje, duke përdorur barëra për qetësim, pa të cilat nuk mund të flinte. Megjithatë, sot e kësaj dite, vdekja e saj cilësohet si enigmatike dhe e pasqaruar deri në fund. Shumëkush është i prirë të lidhë vdekjen e saj me lidhjet që kishte me vëllezërit Kennedy.

Sidoqoftë, popullariteti i saj nuk pësoi fare rënie pas vdekjes. Përkundrazi. Filmat e saj janë përherë shumë të popullarizuar, ndërsa CD-të me muzikën e filmave, ku edhe kjo këndon, janë gjithmonë të mirëpritur nga publiku.

Në vitin 1999, kur Magazina “Playboy”, më e njohura në botë për “shijen mashkullore” bëri përzgjedhjen e njëqind femrave më joshëse të shekullit XX, Marilyn Monroe pothuaj nuk kishte konkurrencë të denjë. Ajo pra u shpall si Njëshi i botës femërore në qindvjeçarin e kaluar.

Por, pakkush mund të kontestojë që ajo vdiq si femra më e famshme dhe njëkohësisht më fatkeqe në Amerikë.

MJEK DHE REVOLUCIONAR: CHE

Çe Gevara (Ernesto Che Guevara), me mjekër dhe flokë të gjata të denja për një rok-yll, me beretën dhe yllin në të, me një shikim të veçantë, është një nga fotografitë më të njohura të shekullit XX. Këtë askush nuk e mohon. Por nuk janë të shumtë ata që dinë sot detaje të biografisë së këtij revolucionari i cili tok me Fidel Castron bëri që Kuba të shndërrohet në shtet komunist. Filmi “Evita” i Alan Parkerit, me Madonnën në rolin e Eva Peronit, gruas së Juan Peronit, kryetarit të Argjentinës dhe Antonio Banderasin në rolin e Çe Gevarës, bëri që publiku të njihet pak më shumë për Çe Gevarën.

Çe Gevera u lind në Argjentinë. Nën ndikimin e madh të së ëmës, Ernesto nisi të interesohet shumë për letërsi. Ernesto ishte shumë inteligjent dhe prej letërsisë së shpejti kaloi në vepra filozofike dhe politike. Ndër autorët e tij më të preferuar ishin Karl Marxin dhe Sigmund Freudi. Ernesto ishte i dhënë shumë edhe pas sporteve të ndryshme, edhe pse ishte i sëmurë prej astmës.

Kriza e madhe ekonomike në Argjentinë, në kohën e Juan Peronit, bëri që Gevara të humbë në tërësi besimin në një rend demokratik parlamentar. Për më tepër, ai mendonte që ShBA-ja është armiku kryesor i Argjentinës dhe klasës punëtore.

Por, do të kalojë një kohë derisa ky të mos përcaktohet për metoda revolucionare. Në Universitetin e Buenos-Ajresit, do të studiojë mjekësinë dhe gazetarinë. Udhëtoi shumë nëpër Amerikën Latine. Në Mexico City do të njihet me vëllezërit Castro – Fidelin dhe Raulin. Posaçërisht u afrua me Fidelin i cili e thirri për t’iu bashkangjitur në luftën për krijimin e pushtetit komunist në Kubë. Ernesto Gevara mori nofkën Çe dhe u bë njëri prej komandantëve më të njohur të ushtrisë revolucionare kubaneze.

Pas vendosjes së regjimit të ri në Kubë, ishte personaliteti i dytë për nga rëndësia në Havanë, menjëherë pas Castros. Në vitin 1965, do të botojë librin “Socializmi dhe Njeriu”, në të cilin shprehte idetë dhe qëndrimet e tij, të afërta me Anarkizmin. Largimi i tij nga marksizmi dhe këmbëngulësia e tij që ishte pasojë e karakterit të tij, bëri që ky të largohet nga Kuba.

Çe do të udhëtojë në Afrikë për të bërë revolucion atje, pastaj do të kthehet në Bolivi, prapë me synime për të ndryshuar botën. Nuk do të vonojë dhe ushtria boliviane do ta zë dhe ekzekutojë. Edhe fotografitë e Çe Guevarës të vrarë, do të qarkullojnë pastaj në tërë botën.

Prej atëherë, Çe Gevara u shndërrua në njërin ndër mitet bashkëkohore, që personfikon një kryengritës i cili s’pajtohet me botën. U harruan përcaktimet e tij komuniste dhe mbet gjallë vetëm karakteri i tij rebelues.

VDIQ NË KULMINACIONIN E KARRIERËS: ELVIS PRESLEY

Kur në vitin 1977, nën ndikimin e drogave, vdiq Presley, Amerika u gjet në shok. I vetmi mbret që mbretëroi në shtetin më të fuqishëm në Botë, në ShBA, ishte Elvis Presley, i cili u cilësua, me të drejtë, si “Mbret i Rokënrolit”.

Elvis Aaron Presley u lind në Tupelo, në Mississipy, në vitin 1935. Vëllai i tij binjak vdiq menjëherë pas lindjes dhe ky u rit si fëmija i vetëm në familje. Për këtë shkak, e ëma e ka dashur shumë dhe është kujdesur shumë për të. Kjo përkujdesje ka lënë gjurmë të përhershme të Presley i cili gjithmonë ka mbetur i varur prej së ëmës.

Në vitin 1948, familja e tij shpërngulet në Memfis, vendin prej ku nis karriera e jashtëzakonshme e Elvis Presleyit.

Ndikimet e para muzikore në Presleyin lidhen me country muzikën, por ky ishte veçanërisht i fascinuar me gospelin (muzikë shpirtërore religjioze e zezakëve të Amerikës). Në vitin 1954, Elvis nënshkruan kontratën me Shtëpinë e njohur diskografike “Sun”, pastaj kalon në RCA. Prej vitit 1956, Elivis nis të pushtojë top-listat në Amerikë dhe në botë. Elvis kishte një paraqitje të re skenike, sillej dhe këndonte si një zezak dhe kjo ishte befasia më e madhe në Amerikën e asaj kohe. Për këtë shkak, zatën, Presely ishte ndër rok-yjet e para, i cili dëgjohej me ëndje prej të të gjitheëve, pa marrë parsysh statusin social apo prejardhjen raciale. Presley i bashkoi të gjithë në adhurimin e tij të paparë në historinë e muzikës.

Pas suksesit në muzikë, Presley do të kalojë në industrinë e filmit, ku po ashtu ishte mjaft i suksesshëm. Në karrierën e tij ka xhiruar 33 filma, western, filma muzikor (nuk besojmë që së paku një herë nuk e keni parë filmin e tij “Viva Las Vegas” me En Margareth, aktoren e bukur e cila u bë edhe dashnore e tij) dhe publiku me ëndje përcjellte sukseset e tij filmike.

Elvis Presley ka shitur mbi një miliardë albuma, është nominuar 14 herë për Grammy, shpërblimin më të rëndësishën muzikor, të cilin e ka fituar tre herë.

Presley ka shërbyer edhe në ushtrinë amerikane. Do të pritet edhe në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Richard Nixon, të cilit i kishte ofruar të bëhet agjent i FBI-së.

Në vitet e shtatëdhjeta, do të trashet shumë dhe gjithnjë e më tepër do të përdorë droga të ndryshme. Do të vdesë i ri, si 42-vjeçar, më 16 gusht 1977 në pronën e tij, në Graceland, në Memphis. Aty edhe do të varroset. Prej atëherë, varrin e tij e kanë vizituar miliona adhurues të tij. Albumat e tij ribotohen sot e kësaj dite. Popullariteti i tij vazhdon të jetë shumë i lartë. Presley dhe “The Beatles” janë autorët e hiteve më të njohura në historinë e rok-muzikës.

KINEZI MË I RËNDËSISHËM I SHEKULLIT: MAO ZEDONG

Në vitin 1893, kur u lind Mao Zedong, Kina ishte në gjendje rrëmuje dhe asaj i kanosej edhe shkatërrimi i plotë si shtet. Dinastia Qin e cila sundonte me Kinën, nuk arrinte të përmirësojë gjendjen e rëndë ekonomike dhe populli gjithnjë e më shumë ishte i pakënaqur. Resurset e mëdha të Kinës i shfrytëzonin fuqitë e mëdha perëndimore. Mao Zedung do të hetojë herët këto probleme dhe do të zotohet që do të mundohet të ndryshojë situatën në Kinë. Natyrisht, si edhe në shumë raste të tjera të ngjashme, shumëkush injoroi synimet e Zedungut dhe mendoi që ky nuk mund të bëjë ndryshimet e premtuara. Por, dihet çfarë ndodhi. Zedong do të theksojë që në fillim njerëzit nuk i duan ndryshimet, por më vonë, ata i përqafojnë ato.

Lëvizja e Zedongut ngadhnjeu ndaj asaj të Çang-Kai-Shekut dhe në vitin 1949, Zedong do të shpallë krijimin e Republikës Popullore të Kinës. Reformat e mëdha që Zedong instaloi, bënë të mundur që Kina të bëhet njëra ndër shtetet më të fuqishme në Botë. Kinezët do të marrin pjesë edhe në Luftën e Koresë, në anën e aleatëve të tyre, komunistëve të Koresë Veriore. Në fillim, gati do të fitojnë, por më vonë, forcat amerikane dhe ato të aleatëve, do t’i zbrapsin kinezët. Çfarë mbahet në mend nga kjo luftë është gatishmëria e oficerëve kinezë për të flijuar mijëra ushtarë kinezë pa kurrfarë justifikimi.

Në vitet e gjashtëdhjeta, Zedong do të lansojë “Revolucionin Kulturor”, me gjasë, më të egrin në historinë e komunizmit për sa iu përket përpjekjeve për “krijimin e njeriut të ri komunist”. Fushata e demoncimeve, burgosjeve, arrestimeve do të përfshijë miliona veta.

“Revolucioni Kulturor” kinez do të ketë pasoja edhe në Shqipëri, e cila ato vite kishte krijuar raporte të posaçme me Kinën. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën do të nisen të prishen pas vizitës së Richard Nixonit, kryetar i atëhershëm amerikan, në Pekin. Thuhet që Enver Hoxha, lider i Shqipërisë komuniste, e kishte marrë si tradhti të interesave komunist pritjen e Nixonit nga Zedong dhe prijës të tjerë të lartë kinez.

Përfundimisht, Shqipëria do të prishet me Kinën në vitin 1977.

Vetë Mao Zedong do të vdesë në vitin 1976. Pushteti kinez do të ndërtojë maozolenë në të cilin do të vendosë trupin e balsamosur të Zedongut.

Nuk do të vonojë dhe do të nisin kritikat e para ndaj regjimit të Zedongut dhe në veçanti, ndaj “Revolucionit Kulturor”. Do të burgoset gruaja e Zedongut.

Reformat që do të nisin në Kinë në vitet e tetëdhjeta, do të përjetojnë një ngecje pas demonstratave të njohura të vitit 1989, të cilat u shuan pas intervenimit të përgjakshëm të Armatës kineze. Por, më vonë, reformat do të përtërihen dhe sot Kina është një shtet i fuqishëm.

PERSONALITETI I SHEKULLIT XX SIPAS MAGAZINËS “TIME”: EINSTEIN

Emri i Einsteinit lidhet me karrierën politike të Adolf Hitlerit. Po të mos vinte në pushtet Hitleri, Einstein dhe shumë shkencëtarë hebreikë që ishin qytetarë të Gjermanisë, kurrë nuk do ta braktisnin Gjermaninë. Ata u vendosën në SHBA dhe luajtën rolin kryesor në krijimin e bombës së parë atomike. Kjo bombë kishte për destinim të vetin primar Gjermaninë, por ajo kapitulloi. Kur Qeveria amerikane vendosi ta përdorë kundër Japonisë, shumë shkencëtarë hebreikë shkruan letër kryetarit Hary Truman, duke kundërshtuar këtë gjë. Por, tashti ishte bërë tepër vonë. Përndryshe, ekziston bindja që po të ishte gjallë presidenti Roosevelt (i cili vdiq në prill të vitit 1945), bomba atomike nuk do të përdorej as kundër Japonisë.

Albert Einstein u lind më 1879, në Ulm të Gjermanisë. Në vitin 1905, Einstein doktoroi në Universitetin e Cyrihut. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Einstein kthehet në Gjermani, ku bëhet profesor në Universitetin e Berlinit. Në vitin 1921 për herë të parë udhëton në Amerikë, ku mundohet të mbledhë mjete për universitetin e sapothemeluar hebreik në Jerusalem. Së shpejti Einstein merr edhe Çmimin Nobel, por jo për “Teorinë e relativitetit”, siç mendohet zakonisht, por për punimet në efektin fotoelektrik, të cilat i kishte botuar qysh në vitin 1905.

Në vitete njëzeta, Einstein bëhet një shkencëtar shumë i njohur dhe i popullarizuar. Për këtë shkak ai udhëton shumë nëpër botë, duke popullarizuar shkencën dhe arritjet e tij personale. Por, duket që për shkak të udhëtimeve të shumta, ai sëmuhet. Në vitin 1928, ai vendos të shkojë në Princeton, në Amerikë, në universitetin e atjeshëm. Einstein nuk mendonte të rrijë përgjithmonë në Amerikë, por kur në vitin 1933 Hitleri merr pushtetin në Gjermani, Einstein vendos të mos kthehet më në atdhe. Për më shumë, në vitin 1940 ky edhe zyrtarisht merr shtetësinë amerikane, por, po ashtu, mban edhe shtetësinë zvicërane të cilën e kishte marrë më herët, gjatë qëndrimit të tij në Zvicër.

Në vitet e pesëdhjeta, gjendja e tij shëndetësore keqësohet shumë. Megjithatë, edhe pse i lodhur shumë, ky i drejtohet me letrën e famshme burrështetasve të botës, duke kërkuar prej tyre që të heqin dorë nga bomba atomike.

Albert Einsteini mbahet në mend si njëri ndër gjenitë e shekullit XX, i cili njëkohësisht ishte i vetëdijshëm për rreziqet që bart në vete zhvillimi i madh shkencor dhe teknologjik.

Magazina amerikane “TIME” ka shpallur në vitin 1999 Einsteinin personalitetin më të rëndësishëm botëror të shekullit XX.

SIMBOLI I SË KEQES: ADOLF HITLERI

Natyrisht, këtu nuk ka nevojë të harxhohen shumë fjalë. Por, duhet përsëritur që kriteri për t’u gjetur këtu nuk kishte të bëjë vetëm me kontributin dhënë për të mirë qytetërimit. Përndryshe, ata që janë të prirë të bëjnë llogaritje të ndryshme, gjithsesi të vonuara për një dukuri, thonë që bota kurrë nuk do të përjetonte tmerret më të mëdha në historinë e saj, sikur Hitleri të mos refuzohej nga Akademia e Artit në Vjenë. Ata thonë se Hitleri ka përjetuar shumë rëndë refuzimin e tij dhe se ky ishte ai momenti kyç që bëri që ky të kthehet një herë e përgjithmonë kah e keqja. Po të pranohej në akademi, Hitleri do të merrej me pikturë dhe nuk do të kthehej kah historia dhe politika.

Ndoshta edhe është ashtu, por kjo llogari është e kotë tashti. Dhjeta miliona vetë janë vrarë në luftërat të cilat i nisi Adolf Hitleri.

Në vitin 1925, Hitleri do të botojë veprën e tij “Mein kampf” (“Lufta ime”), në të cilën do të elaborojë pikëpamjet e tij politike. Ky libër deri në vitin 1939 (kur edhe zyrtarisht nis Lufta e Dytë Botërore), do të përkthehet në 11 gjuhë dhe do të shitet në pesë milionë kopje.

Është interesant të theksohet që Hitleri kurrë nuk ka fituar në zgjedhje parlamentare dhe që në vitin 1933, në janar, pothuaj rastësisht merr detyrën e kryeministrit të Gjermanisë. Në të vërtetë, Hitleri duhej të ishte vetëm një zgjidhje kalimtare, deri në zgjedhjet e reja, të cilat kurrë nuk u mbajtën. Ai, me t’u zgjedhur kancelar, do ta uzurpojë pushtetin dhe do ta çojë Gjermaninë në humnerë. Gjatë luftës janë vrarë mbi 20 milionë gjermanë.

Në vitin 1939 do të nisë luftën më të tmerrshme në historinë e Evropës. Do të ndërtojë kampe përqëndrimi, në të cilat, pos tjerash, do të vriten miliona hebrenj. Më famëkeqi prej këtyre kampeve do të jetë “Auschwitzi” në Poloni.

Në vitin 1945, kur disfata e tij u bë e paevitueshme, Hitleri do të urdhërojë që Gjermania të kallej dhe të shkatërrohej e tëra, por bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk do ta dëgjojnë. Këtu do të veçohet Albert Speer, “arkitekti personal i Hitlerit”, i cili do të burgoset në Spandau, burgun e njohur të Berlinit.

Më 30 prill të vitit 1945, teksa forcat e Armatës së Kuqe depërtonin në Berlin, Hitler, së bashku me gruan e tij Eva Braun, do të bëjë vetëvrasje. Trupi i tij do të digjet me naftë. Tek eskpertët anglezë, më vonë, do të vërtetojnë që trupi i djegur është ai i Adolf Hitlerit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, emri i Hitlerit mbeti simbol i të së keqes, i urrejtjes dhe i shkatërrimeve. Kështu, një mori politikanësh u krahasuan me të. Së fundit, ishin dy të tillë: Saddam Hyseini, diktatori i Irakut dhe Slobodan Milosheviqi, kasapi i Ballkanit.

Për këtë shkak, procesi kundër Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, më së shpeshti u krahasua me Procesin e Nurembergut kundër bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Adolf Hitlerit.

PAVARËSIA ME REZISTENCË PAQËSORE: MOHANDAS K. GANDHI

Gandhi u lind më 1869 në vendin Gudzharat, në Indinë Perëndimore. Si në rastin e shumicës së indasve, martesa e Gandhit ishte goditur shumë herët, kur ky ishte fëmijë. Për këtë shkak, ky u martua kur i kishte vetëm 13 vjet (ishte 13 vjeç dhëndër pra) me Kasturbai Makanji. Nuk vonoi dhe Gadnhi i ri do të shkojë në Londër për të studiuar drejtësinë. Pas Anglisë, e cila në atë kohë sundonte me Indinë dhe me pothuaj gjysmën e botës, Gandhi shkon në Afrikën e Jugut. Aty kishin gjetur punë shumë indas. Në Afrikë të Jugut Gandhi do të bëhet dëshmitar i eksploatimit të njeriut në baza raciale, sociale dhe të prejardhjes etnike. Duket që kjo përvojë do të jetë vendimtare për biografinë e tij të mëtejme. Për më tepër, pikërisht në Afrikë të Jugut, Gandhi do të nisë të kuptojë rëndësinë e rezistencës së padhunshme si formë të ndryshimit të gjendjes sociale dhe politike.

Indasit do ta quajnë Gandhin “Satyagraha” apo “fuqia e të së vërtetës”. Edhe pse Gandhi i printe demonstratave paqësore, ai do të burgoset shpesh prej autoriteteve angleze, të cilat nisën të kuptojnë rrezikun e përhapjes së Lëvizjes së Gandhit në Afrikën e Jugut e më vonë edhe në Indi. Lëvizja e Gandhit intensifikohet posaçërisht në Indi, ku ky do të vihet në ballë të rezistencës e cila kishte për synim çlirimin e Indisë nga kolonializmi anglez.

Pas luftës shumëvjeçare, në vitin 1947, India arrin të bëhet shtet i pavarur. Ishte ky një rast i rrallë kur pavarësia e një shteti dhe çlirimi nga kolonializmi u arrit me lëvizje politike të padhunshme. Por, Gandhi do të ballafaqohet me probleme të reja kur shteti i sapokrijuar do të ndahet midis myslimanëve, të cilët do të krijojnë Pakistanin dhe hindusëve, që do të mbajnë Indinë. Dy muajt e fundit të jetës, Gandhi do t’ia kushtojë përpjekjeve për të ndalur dhunën në Kashmir, sepse edhe India edhe Pakistani pretendonin që Kashmiri i takon atyre. Dihet që sot e kësaj dite, Kashmiri është një problem i madh në raportet midis Indisë dhe Pakistanit, të cilat posedojnë edhe me armë bërthamore.

Në vitin 1948, Gandhi do të vritet nga një atentator teksa shettite kopshteve të New Delhit. Thuhet që vrasësi ka qenë një fanatik fetar i cili nuk i kuptonte porositë e Gandhit.

Emri i Gandhit sot e kësaj dite është sinonim për lëvizje paqësore të padhunshme dhe për përpjekjet që me metoda racionale të zgjidhen problemet e mëdha politike. Vepra dhe mendimi i tij kanë lënë gjurmë jo vetëm në Azi, por edhe në Evropë dhe në Amerikë, ku u shtua interesimi për trashëgiminë shpirtërore të kësaj pjese të botës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version