Telegrafi

​Pesë persona të arrestuar për dhunë në familje

Foto: Ilustrim

Pesë raste të dhunës në familje kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në qytete të ndryshe të Kosovës.

Sipas Policisë, një person është arrestuar në Prishtinë, pasi kishte sulmuar fizikisht ish- bashkëshorten e tij.

Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore, por edhe të dyshuarit pasi është ankuar se ishte sulmuar nga bashkëshortja. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Po në Prishtinë, është arrestuar një i dyshuar, pasi që i njëjti në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike ndaj familjarëve të tij. I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një person tjetër është arrestuar në Gjilan, pasi e kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij me të cilin ishin duke bashkëjetuar.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është liruar në shtëpi, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

E në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari i cili pas një mosmarrëveshje në shtëpi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve.

I dyshuari nuk është intervistuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore – psikike, kurse me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Një person është arrestuar edhe në Vushtrri, i cili pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.