Telegrafi

Pesë kushtet e Lionel Messit për të vazhduar kontratën te Barcelona ose i bashkohet Cityt si lojtar i lirë

Raportohet se Lionel Messi i ka vendosur Barcelonës pesë kushte për të rinovuar kontratën e re, ndryshe largohet si lojtar i lirë në verën e vitit 2021.

Legjenda e klubit katalunas do të vendosë rreth të ardhmes së tij para se të përfundojë ky sezon, shkaku i marrëveshjes që skadon në verën e ardhshme.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë kishte tentuar që të largohej edhe në verën që shkoi nga Blaugranasit, por pas intervenimit nga gruaja dhe fëmijët e tij që të mos largohej, ndryshoi qëndrim.

Mirëpo, sipas asaj që raporton Marca, 33-vjeçari i ka caktuar Barcelonës pesë kushte për të rinovuar kontratën e tij, ose i bashkohet Manchester Cityt si lojtar i lirë.

Presidenti i klubit

Gjëja më interesante është se argjentinasi e ka fituar betejën me Jose Maria Bartomeun, që dha dorëheqje në muajin e kaluar si kreu i klubit.

Nëse zëvendësuesi i Bartomeut ka një plan për të zhvilluar klubin më tej, atëherë Messi mund të pajtohet që të qëndrojë në klub.

Drejtori sportiv

Në një situatë të njëjtë si Bartomeu, ishte edhe Eric Abidal, që pati një konfrontim me Messin në fillim të këtij viti, duke i akuzuar lojtarët se kishin shkarkuar Eernesto Valverden dhe nuk dëshironin të luanin më për klubin.

Trajneri

Marca raporton se Messi nuk është i kënaqur as me Ronald Koemanin, që i largoi shokun më të ngushtë në skuadër, Luis Suarezin.

Argjentinasi ishte kundër largimit të uruguaianit, që në verë kaloi te rivali i La Ligës, Atletico Madridi, pasi i ishte thënë nga trajneri holandez se nuk ishte në planet e tij.

Plani i transferimeve

Pas largimit të Suarezit, Barcelona nuk ka arritur të gjejë një zëvendësues ideal për të, duke e përdorur Antoine Griezmannin ose Messin si sulmues fals.

Kështu, argjentinasi po kërkon nga klubi që të gjejnë një sulmues që mund të shënojë shumë gola dhe e kupton sistemin e lojës së tyre, siç është Lautaro Martinez.

Forma afatgjate e klubit

Argjentinasi po kërkon nga skuadra katalunase që ekipi të ndërtohet sërish përreth tij dhe të kenë një plan afatgjatë rreth transferimeve që do të realizohen në të ardhmen. /Telegrafi/