Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 812 mijë e 49 votues, apo 44.18 për qind.
Bazuar në të dhënat preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pesë komunat me numrin më të madh të daljes së qytetarëve në zgjedhje janë Zubin Potoki, Prishtina, Shtërpca, Zveçani dhe Novobërda.
Në Zubin Potok, nga 8 mijë e 528 votues të regjistruar, në 15 vendvotime që kanë qenë të hapura në këtë komunë, kanë votuar 4 mijë e 890 qytetarë apo kthyer në përqindje 57,34 për qind, shkruan Telegrafi.
Dalja në zgjedhje e qytetarëve në Prishtinë po ashtu ishte e mirë. Nga të dhënat e KQZ-së, në këtë komunë ishin të regjistruar 195 mijë e 554 votues, ku në 247 vendvotime të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 108 mijë e 389 qytetarë apo 55,56 për qind.
Pas Prishtinës, komuna me daljen më të madhe të qytetarëve në zgjedhje është komuna e Shtërpcës.
Në këtë komunë votues të regjistruar ishin 13 mijë e 714, ku në 21 vendvotime të drejtën për të votuar e shfrytëzuan vetëm 6 mijë e 562 apo 55,18 për qind, shkruan Telegrafi.
Edhe Zveçani ku popullsia është me shumicë serbe, nga 9 mijë e 209 votues të regjistruar në 13 vendvotime votuan 4 mijë e 755 qytetarë apo 51,63 për qind.
Po ashtu edhe në Novobërdë, dalja e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit ishte e madhe.
Nga 9 mijë e 754 votues të regjistruar, votën e tyre në 222 qendra të vendvotimit, e hodhën 5 mijë e 27 qytetarë apo 51,54 për qind.
Ndryshe në bazë të rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja dhe PDK-ja. /Telegrafi/