Site icon Telegrafi

Pesë kandidatët më të votuar për asamblistë, listës i prinë asamblistja e VV-së në Prishtinë

Zgjedhjet në Kosovë, Foto: Ilustrim/ Ridvan Slivova

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën ka shpallur rezultatet e zgjedhjeve lokale për kuvende komunale.

Në garë për të fituar ulëse në kuvende komunale ishin një numër i madh kandidatësh. Mirëpo jo të gjitha arritën ta kalojnë suksesshëm garën e 17 tetorit dhe të fitojnë mandatin e këshilltarit komunal, transmeton Telegrafi.

Disa nga kandidatët për asamblistë nuk kanë arritur të marrin as edhe një votë, ndërsa disa të tjerë kanë arritur të mbledhin numër të madh të votave, kësisoj duke u radhitur si ndër më të votuarit në nivel vendi.

Telegrafi ka bërë përzgjedhjen e pesë kandidatëve më të votuar në zgjedhjet e 17 tetorit.

Asamblistja më e votuar është  Nora Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, e cila në garën për këshilltare në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka grumbulluar 1, 883 vota.

Asamblisti i dytë më i votuar në zgjedhjet e 17 tetorit është radhitur Fatmir Asllani nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai në garën për këshilltar komunal në Pejë ka marrë 1, 580 vota.

I treti si më i votuari në mesin e asamblistëve është edhe Afrim Llabjani nga Partia Demokratike e Kosovës në Ferizaj, i cili ka mbledhur 1, 437 vota.

Në vendin e katërt është radhitur Ilir Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje. Gashi në garën për këshilltar në Kuvendin e Prizrenit ka marrë 1, 260 vota.

Në top pesëshen më të votuar është edhe Fehmi Kupina nga Lidhja Demokratike të Kosovës, i cili në Prishtinë ka fituar 1,199 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ ditë më parë ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave. Në këtë certifikim nuk u përfshinë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të 4 Komunave: Podujevë, Shtime, Ferizaj dhe Kllokot.

Sipas njoftimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në këtë institucion janë paraqitur ankesa për rezultatin përfundimtar në këto komuna.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 14 nëntor, kurse votimi nga diaspora ka nisur më 29 tetor dhe do të zgjasë deri më 12 nëntor.

Numri i votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet raundi i dytë është: Gjakovë (1,089), Gllogoc (175), Gjilan (607), Dragash (1,090), Istog (707), Kaçanik (166), Klinë (437), Fushë Kosovë (135), Kamenicë (442), Obiliq (60), Rahovec (382), Podujevë (337), Prishtinë (666), Prizren (921), Shtime (116), Viti (754), Vushtrri (174), Malishevë (714), Junik (1,054), Mamush (192) dhe Kllokot (10). /Telegrafi/

 

Exit mobile version