Site icon Telegrafi

Pesë gjëra që duhet t’i dini për 35 milionëshin e Bayern Munich

Bayern Munich ka paguar hiq më pak se 35 milionë euro dhe kjo shumë mund të rritet për mesfushorin 18-vjeçar, Renato Sanches.

Shifra tregon që Bayerni e njeh mirë vlerën e lojtarit që ka blerë, por shumë njerëz janë habitur, pasi bëhet fjalë për një mesfushori shumë të ri në moshë dhe pa eksperiencë.

Më poshtë mund t’i lexoni pesë të veçanta në lidhje me Renato Sanches, që do të krijojnë një ide më të qartë kush është.

1. Luante te ekipi B deri ne tetor

Rritja meteorike e Renato Sanches mund të kuptohet qartë edhe nga kjo e dhënë. Ai debutoi me ekipin e parë më 30 tetor 2015. Që atëherë, 18-vjeçari ka luajtur rregullisht dhe ka patur paraqitje fantastike, duke e bindur edhe Bayernin ta blinte.

2. Mosha e tij ngjall debate

Me dokumente zyrtare, Renato Sanches ka lindur më 18 gusht 1997 në Lisbonë. Megjithatë, në Portugali të shumtë janë ata që besojnë versionin që qarkullon në media, ku pretendohet se babai i tij e ka regjistruar Renaton në moshën 5 vjeç në regjistrin e gjendjes civile, sepse kishte emigruar në Francë kur Sanches lindi.

3. E kane krahasuar gjithnjë me dy holandezë të mëdhenj

Nëse je lojtar me ngjyrë, i shpejtë, luftarak e me tipare mbrojtëse, mund të të krahasojnë me një si Edgar Davids. Nëse ke edhe teknikë e di të shënosh, atëherë mund të krahasohesh edhe me një si Clarence Seedorf. Renato Sanches krahasohet me të dy: a ka lojtar më perfekt se kaq?

4. Ka vendosur rekorde te Benfica

Shpërthimi i Renatos është shoqëruar me të dhëna habitëse. Me një gol të shënuar ndaj Academikas më 4 dhjetor 2015, Renato u bë shënuesi më i ri për Benficas në shekullin e 21-të. Gjithashtu, debutoi në Astana-Benfica dhe u bë lojtari më i ri që ka debutuar ndonjëherë në Ligën e Kampionëve.

5. Agjenti i tij është… një ‘peshkaqen’

Sado i talentuar të jesh, po nuk pate agjentin e duhur, nuk vlen. Renato Sanches është me fat. Agjenti i tij është Jorge Mendes. Për ata që nuk e njohin, është agjenti i Jose Mourinhos dhe Cristiano Ronaldos, sa për të përmendur dy emra nga “ushtria” e tij.

Exit mobile version