Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar vendimin që t’i shes Kosovës raketa antitank “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes dorëzoi dje certifikatën e kërkuar duke njoftuar Kongresin amerikan për këtë shitje të mundshme.
Sipas Agjencisë, Kosova ka kërkuar të blejë 246 raketa “Javelin FGM-148F”. Por, jo vetëm raketat, Ushtria e Kosovës do të marrë edhe pajisje të tjera dhe trajnime nga pakoja amerikane, transmeton Telegrafi.
Forcat e Armatosura të Kosovës pritet të pajisen edhe me 24 njësi lëshuese LWCLU (Light Weight Command Launch Unit); Stacionet e instruktorëve të trajnimit në natyrë (OTIS); Stacione simulimi të raketave; Njësitë e ftohësit të baterisë (BCU); Integrimi i Sistemit dhe ‘Checkout’ (SICO); Mbështetja e Ciklit të Jetës (LCS); Manuali Teknik Elektronik Interaktiv i Kufizuar Javelin (IETM); Manuali i Operatorit Javelin dhe Asistenca Teknike (TAGM); Mjetet stërvitëse të gjuajtjes; Trajnimi i Oficerit Teknik të Municioneve (ATO); Trajnim për mirëmbajtjen e raketës si dhe elementë të tjerë të logjistikës dhe mbështetjes së programit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se kontraktorët kryesorë do të jenë Javelin Joint Venture ndërmjet Lockheed Martin në Orlando, Florida dhe Raytheon Missiles dhe Defense në Tucson, Arizona.
Kjo shitje e propozuar thuhet se do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë.
Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial për të përmbushur kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare. Kosova nuk do ta ketë të vështirë të absorbojë këtë pajisje në forcat e saj të armatosura.
Sipas të dhënave nga buxheti i mbrojtjes së Ushtrisë Amerikane, çmimi i një njësie komanduese lëshuese (LCU) është rreth 311 mijë dollarë, ndërsa çmimi i një rakete është 263 mijë dollarë, kështu që në rast të prokurimit, Prishtina do ta merrte sistemin anti-tank me çmim pothuajse identik me atë të ushtrisë amerikane, raporton N1.
Theksojmë se në fillim të vitit 2023, Kroacia ka porositur raketa “Javelin” në vlerë të 25 milionë eurove.
Në maj të vitit 2023, Australia kërkoi blerjen e 255 raketave për 60 milionë dollarë, por pa një sasi të madhe pajisjesh, duke qenë se tashmë e ka sistemin në përdorim prej vitesh.
Në dhjetor të vitit 2023, Rumania kërkoi blerjen e 263 raketave “Javelin” dhe 26 njësive lëshuese për 80 milionë dollarë. /Telegrafi/