Site icon Telegrafi

Përurohet busti i babait të Mitsotakisit në Derviçan, Rama: Do të doja të ishte edhe kryeministri grek këtu

U përurua sot busti i ish-kryeministri grek Konstantinos Mitsotakis në fshatin Derviçan. 

I pranishëm në përurimin e bustit në Derviçan, i cili do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili mbajti dhe një fjalim para qytetarëve.

Megjithatë duket se përplasjet midis Tiranës dhe Athinës për çështjen Beleri nuk e ka mundësuar ardhjen e premtuar më herët të djalit të Konstantinos Mitsotakis, tashmë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Ai theksoi se do të kishte dëshirë që i pranishëm në këtë përurim të ishte dhe kreu i qeverisë greke.

“Do kisha dashur shumë që sot të ishte dhe Kyriakos Mitsotakis djali i Konstantinos, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur. Me siguri ai do të kthehet në sheshin që nga sot mban emrin e të atit. Më vjen mirë që sot është një deputet tanimë i thinjur i demokracisë së re. Ai shoqëroi Konstantinos. Ai ishte një djalosh i ri pa asnjë thinjë në kokë, i cili më vonë do të bëhej kryebashkiaku që i ktheu Athinës flamurin e lojërave olimpike. Është një nga shembujt e mi frymëzues kur mora Bashkinë e Tiranës, miku im i shtrenjtë Dimitris Avramopoulos”, tha Rama.

Ai kujtoi jetën e ish-kryeministrit grek duke theksuar se ky i fundit u dekorua dy herë pas luftës, nga qeveritë e Greqisë dhe të Britanisë së Madhe

Në fjalën e tij, kryeministri lavdëroi figurën e Mitsotakis, si liderin perëndimor që vendosi në nivelin e marrëdhënieve strategjike, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Greqisë.

Gjithashtu ai vlerësoi dhe rolin e ish-kryeministrit grek në vendosjen e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Greqisë, si i pari shef i qeverisë në Athinë që vizitoi Shqipërinë post-komuniste në vitin ’93. /Telegrafi/

 

Exit mobile version