Një person është gjetur i vdekur sot në qendër të Prishtinës, saktësisht brenda një lokali të një agjencie turistike, e që dyshohet për vetëvrasje.
Telegrafi mëson se personi që është gjetur i vdekur është pronari i agjencisë turistike “Veneta Travel”, Ilaz Beqiri.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zyrën e kësaj agjencie në rrugën ‘Garibaldi’ në Prishtinë.
Trupi i pajetë tashmë është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia dhe Prokurori i Shtetit janë ende në vendin e ngjarjes, transmeton Telegrafi.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda është njoftuar nga Policia e Kosovës për një vdekje të dyshimtë në Prishtinë. Prokurori i Shtetit ndodhet në vendin e ngjarjes dhe sipas autorizimeve të tij, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Vdekjen e Ilaz Beqirit e ka konfirmuar edhe djali i tij, Alban Beqiri. Në një postim në Facebook ai ka shkruar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 16:00, ndërsa për shkak të pandemisë nuk do të ketë të pame. /Telegrafi/