Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se personat mbi moshën 65-vjeçare së shpejti do të lejohen të udhëtojnë ose vizitojnë restorantet dhe muzetë vetëm nëse kanë dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
“Nga 15 dhjetori, do t’ju duhet të siguroni dëshmi të dozës përforcuese për të zgjatur vlefshmërinë e pasaportës shëndetësore”, paralajmëroi Macron.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, masa e re shtrëngon më tej një nga rregullat më kufizuese që ka një vend në Evropë.
Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit, Franca po sheh një rritje të infeksioneve të rasteve ditore.
Të martën, vendi raportoi më shumë se 12 mijë raste brenda 24 orëve – niveli më i lartë që nga fillimi i shtatorit.
Që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit më shumë se 118 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes. /Telegrafi/