Telegrafi

Persona të panjohur marrin para për parkim në Strugë, komuna hesht

Në Strugë në disa lokacione nëpër qytet ka parkingje ilegale në tokë shtetërore. Në njërin, afër komunës së Strugës, çmimi i parkimit është 200 denarë për tërë ditën. Ndonëse nga Alsat lajmërojnë se tashmë në fillim të vitit shkruante për parkingun ilegal në plazhin e grave, ku dikush ka rrethuar një pjesë të hapësirës, ende nuk ka asnjë reagim nga autoritetet. Në një situatë të tillë reagojnë disa nga partitë në komunë.

“Shqetësues është fakti që askush nga organet kompetente për pronën publike nuk reagon për problemin e krijuar dhe problemin që krijohet çdo ditë para syve të qytetarëve. Autoritetet jo vetëm që nuk reagojnë, por çdo ditë pajtohen me problemin e krijuar”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, Strugë.

Aleanca i bën thirrje Qeverisë, Ministrisë së Transportit, Inspektoratit të Ndërtimit dhe Urbanizmit, komunës, policisë, prokurorisë dhe DAP-it që të mos heshtin për problemin. Reaguan edhe nga OBRM-PDUKM-ja.

“Edhe vetë plazhet përdoren si parkingje jolegale ku objektet hotelierike i uzurpojnë zonat në interes të tyre që mysafirët të parkojnë makinat e tyre, sado që është në kundërshtim me ligjin e sigurisë në qarkullimin rrugor. Për parkingjet është përgjegjëse edhe ndërmarrja publike “Eko Struga”, e cila është themeluar nga Këshilli i Komunës së Strugës për menaxhimin e parkingjeve…”, deklaroi Alen Dereban – OBRM-PDUKM – Strugë.

Por, nga Eko Struga thonë se nuk e dinë se cilët janë pronarët e parkingjeve jolegale.

“Parkingjet jolegale nuk janë në kompetencën tonë të menaxhimit. Sa i përket asaj që kemi ndërmarrë, e kemi raportuar tek institucionet kompetente, të cilat duhet të reagojnë”, njoftojnë nga NP EKO-Struga.

Nga Alsat e thuhet se e kanë pyetur komunën e Strugës se pse lejohen të funksionojnë këto parkingje ilegale, por ato thanë se nuk morëm përgjigje.