Site icon Telegrafi

Persona të maskuar në veri sërish sulmojnë gazetarët me gurë

Persona të maskuar kanë hedhur sërish gurë në drejtim të gazetarëve, që po raportojnë nga veriu i Kosovës.

Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, raporton se rasti ka ndodhur afër barrikadës që është vendosur në Çabër.

Ai ka dërguar edhe një video, ku shihen personat e maskuar.

Situata në pjesën veriore të vendit është e tensionuar që nga fillimi i dhjetorit.

Në atë pjesë të banuar me shumicë serbe deri tani janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore.

Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë.

Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë.

Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor./Telegrafi/

Exit mobile version