Aventurieri nga Izraeli, Roei Sadan, 39-vjeç, i cili me biçikletë përshkoi botën dhe i mbijetoi rrëzimit nga malet në Indi, ka ndërruar jetë pasi në afërsi të shtëpisë së tij e ka goditur autobusi.
Sadan gjatë periudhës 2007 deri më 2011, me biçikletë kishte vizituar 42 vende në gjashtë kontinente, transmeton Telegrafi.
Atë e goditi autobusi para shtëpisë në Rosh HaNikra, shkruan BBC. Pas kësaj fatkeqësia është dërguar me urgjencë në spital, por për fat të keq ka ndërruar jetë dy ditë më vonë.
Tre vite pas fillimit të rrugëtimit rreth botës, Sadan për Jerusalem Post kishte thënë: “Derisa po kaloj nëpër kontinente, nuk jam vetëm. Po i vizitoj ambasadat izraelite nëpër botë, po mbaj ligjërata nëpër shkolla dhe po i tregoj botës për Izraelin. Disa po më quajnë “ambasador në rrota”.
Rrugëtimin e tij e filloi nga pjesa veriore të Alaskës, përmes Amerikës Qendrore dhe Jugore. Pas kësaj ka vozitur biçikletën nga jugu i Afrikës e deri në Etiopi e më pas në Izrael.
Rrugëtimi tjetër i tij ishte përmes Evropës, më pas në Turqi, Uzbekistan dhe Taxhikistan për të përfunduar në Kinë. Në fund për dy javë lëvizi me biçikletë nëpër Australi.
Pesë vite më vonë, përjetoi më të keqen, gjatë alpinizmit në Indi. Derisa po ngjitej malit Stok Kangri kishte rrëshqitur dhe ishte rrëzuar nga qindra metra lartësi.
Ishte dërguar me urgjencë në spital, ku pas tretmanit gjendja shëndetësore i ishte stabilizuar e më pas shërimin e vazhdoi në Izrael. Pasi e mori veten vazhdoi të merret me çiklizëm. /Telegrafi/