Ndryshimi i ligjit për përshkallëzimin e TVSH-së i disfavorizon prodhuesit vendor. Ndryshimet e parapara në këtë projektligj do të favorizojnë importuesit e produkteve të gatshme. Po ashtu, me propozimet e Qeverisë për përshkallëzimin e TVSH-së do të pësojë konsumatori.
Sipas një analize të prezantuar sot nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) me përllogaritje të rritjes së TVSH-së prej 16 në 18 për qind ka efekt në buxhet për 66.4 milionë, ndërsa zbritja për produktet bazike nga 16 në 8 për qind është përllogaritur të jetë 30 milionë euro. Me këtë rast, përfaqësuesit e AKB-së i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës që mos të rritet TVSH-ja nga 16 në 18 për qind.
Se si ndikon përshkallëzimi I TVSH-së tek prodhuesi ka treguar, Sylejman Konushevci, pronarë i kompanisë së prodhimit të vajit “Inter Compani”, duke thënë se tash me këtë rritje të TVSH-së, ai do të dëmtohet nga importuesit.
“Ky përshkallëzim i TVSH-së jo që ka ndodh shembull të na favorizon neve si kompani po ky shkallëzim i TVSH-së, ne si kompani po edhe disa të tjera kompani që merën me këtë lami të njëjtë na e ka 4 fushuar TVSH-në…Një prodhim mund të them që vjen nga Serbia produkt i imi vaji, ai vjen e paguan 8 centë, ndërsa nëse unë lëndën e parë e importoj prej ku do qoftë paguaj 29.8 për qind”, ka thënë Konushevci.
Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se qeveria nuk i ka marrë në konsideratë vërejtët e komunitetit të biznesit dhe qytetarët. Ai ka shtuar se zbritja e TVSH-së për 13 produkte nuk mund të ketë ndikim sikurse tek 100 mijë produktet tjera që hynë në TVSH-në me rritje nga 16 në 18 për qind.
“Pak a shumë nuk ka marrë në konsideratë vërejtjet e bizneseve të qytetarëve e që kjo konsiderohet si një vërejtje e rëndë për Qeverinë e Kosovës. Rritja e TVSH-së në 100 mijë artikuj të tjerë do të varfëroj edhe më tutje shportën e qytetarit, konsumatorit dhe kjo do të jetë një ngarkesë për vet bizneset”, ka thënë ai
Bekim Kryeziu, anëtar i AKB-së, ka prezantuar efektet e përshkallëzimit të TVSH-së, ndikimi i rritjes së TVSH-së dhe ajo rritjes nga 16 në 18 për qind e cila e rritë shportën e konsumatorit për 36.4 milionë euro. “Diferenca e efektit të TVSH-së, efekti i rritjes së TVSH-së nga 16 në 18 për qind është 66.4 milionë euro, efekti i zbritjes së TVSH-së nga 16 në 8 për qind është 30 milionë euro. Diferenca e efekteve të zbritjes dhe të rritje është 36.4 milionë euro. Kjo shifër 36.4 milionë euro e rrit shportën e konsumatorit”, ka thënë Kryeziu.
Selatin Kaçaniku nga Organizata Konsumatori, ka thënë se në asnjë ndryshim të politikave fiskale nuk ftohet konsumatori. “Po flasim për rritje për ulje për sistem fiskal për ekonomi të tregut konsumatori nuk pyetet. Refleksionet e një politike të gabueshme fiskale janë edhe në biznes edhe në ekonomi janë edhe tek konsumatori. Konsumatori i varfër reflekton në shtet të varfër, shteti që pretendon të jetë i pasur duhet ta pasuroj qytetarin konsumator “, ka thënë Kaçaniku.
Ndërsa në fund, nënkryetari i AKB-së ka prezantuar nga analiza edhe rekomandimet që Qeveria duhet t’i marrë seriozisht. “Taksa për teknologji dhe lëndë të parë për riprodhim të jetë 0…TVSH-ja të mbetet 16 për qind n ë të gjitha produktet e gatshme …të përshkallëzohet TVSH nga 16 sa është tani në 3 për qind. TVSH-ja të bartet nga mbledhja në kufij në brendësi të shtetit pasi të jenë shitur produktet tek konsumatori I fundit…Dividenta mos të aplikohet në Kosovë edhe për një kohë”, ka thënë Pirraj.
Projektligji për përshkallëzimin e TVSH-së më 28 maj të këtij viti është aprovuar në lexim të dytë në Kuvend e që Qeveria parasheh që ky projekt ligj të hy në fuqi më 1 korrik të këtij viti. /Telegrafi/