Telegrafi

Përse Guardiola nuk do të shkojë kurrë në Serie A si trajner – tekniku spanjoll ka dhënë një përgjigje

Jo shumë mund ta kenë mbajtur mend se Pep Guardiola ka luajtur në Serie A gjatë vitit 2000, por ata që shpresojnë se tekniku spanjoll do të rikthehet në Itali si trajner, mund të mbesin të dëshpëruar.

Guardiola ka luajtur 28 ndeshje në Serie A si lojtar i Brescias dhe Romës, duke shënuar tre gola për Brescian nën urdhërat e trajnerit legjendar Carlo Mazzone.

Megjithatë, Guardiola e kishte përjashtuar më herët mundësinë që një ditë ai të shkonte në Itali për të ushtruar zejen e trajnerit.

“Kam kaluar dy vite në Itali, unë kam shumë miq atje, veçanërisht në Brescia. Çdo gjë e mirë që ka ndodhur në Itali më bën të lumtur, por mendoj se më para do kisha shkuar në Itali si turist se sa si trajner”, ka thënë Guardiola.

Tekniku spanjoll ishte lidhur me një kalim tek Juventusi në 2019, një vit pas blerjes së Cristiano Ronaldos, por edhe pse ishte pretenduar nga mediat vendase se “Zonja e Vjetër” ka gjetur akordin me Guardiolën, diçka e tillë nuk u konfirmua asnjëherë.

Pep ndoshta ka bërë shaka, por në fakt klubet e elitës italiane nuk e kanë fuqinë ekonomike për të joshur trajnerin më të mirë në botë që t’i bashkohet ligës së tyre.

Lexo po ashtu Pep Guardiola emëron mesfushorin më të mirë në botë sipas tij

Pasi hoqën Dekretin e Rritjes në janar, kjo ka reduktuar shanset e klubeve italiane që të joshin lojtarët dhe trajnerët nga jashtë vendi duke kursyer 50 për qind nga paga e tyre bruto.

Në të kaluarën, ky ligj kishte ndihmuar klubet italiane që të transferojnë yje të mëdhenj të futbollit si Cristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku, por tanimë ato nuk mund të marrin më ndihma financiare për shkak të vendimit që ka marrë qeveria pak muaj më parë./Telegrafi/