Telegrafi

Përse Barcelona mund të shkëpusë kontratën e Lewandowskit?

Një klauzolë e përfshirë në kontratën e Robert Lewandowskit mund të lejojë Barcelonën që të shkëpusë kontratën e sulmuesit në fund të sezonit.

Siç raporton gazeta katalanase Sport, ka një klauzolë në kontratën e polakut që mund të bëjë që kontrata e tij të shkëputet nga blaugranasit.

Kjo klauzolë thotë se nëse polaku nuk starton ose nuk luan për shumë se 45 minuta në një ndeshje për 55 për qind të ndeshjeve gjatë sezonit, Barcelona e ka mundësinë për të shkëputur kontratën e tij që vlen miliona.

Lewandowski nuk ka kaluar në formën më të mirë të mundshme këtë sezon, përkundër faktit që ka shënuar disa gola dhe ka dhënë disa asistime. Kur sulmuesi legjendar u transferua nga Bayern Munichu, ai solli pritshmëri të mëdha dhe u bë pjesë integrale në fitimin e La Ligas edicionin e kaluar.

Sidoqoftë, vështirësitë e Barcelonës në fushë këtë sezon kanë bërë që gishti të drejtohet me raste tek Lewandowski, për shkak të paraqitjeve të tij të dobëta në disa ndeshje.

35-vjeçari ka një pagë mjaft të madhe tek Barcelona dhe duke marrë parasysh situatën financiare të klubit, me gjasë ata do të kërkojnë që t’i zbritet ajo.

Lewandowski fitoi çmimin “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i sezonit, pa shënuar asnjë penallti. Ai u bë lojtari i parë që e arriti këtë gjë që prej Dani Guizas në vitin 2008.

Lexo po ashtu “Isha shumë i zemëruar me të” - Messi thyen heshtjen për episodin ku shihej i injoruar me Lewandowskin dhe nuk i dha dorën

Ndërkohë, këtë sezon momentalisht Jude Bellingham është duke udhëhequr listën e golashënuesve më të mirë në elitën e futbollit spanjoll.

Barcelona do të ballafaqohet nesër (e diel) me Atletico Madridin me fillim nga ora 21:00 dhe Lewandowski do të shpresojë që të fusë emrin e tij në listën e realizatorëve./Telegrafi/