Kompania Airbus ka prezantuar tre konceptet e aeroplanëve të parë komercial, që konsiderohen se emetojnë zero-gazra.
Prodhuesit evropian pretendon se fluturakja me hidrogjen mund të jetë e gatshme për përdorim deri në fund të vitit 2035, transmeton Telegrafi.
Dizajnet “ZERO” paraqesin tri fluturake të ndryshme, që tregojnë se si teknologjia e avancuar dhe aerodinamika mund të qojnë në zero emetim të gazrave tek aeroplanët e fluturimeve komerciale.
Drejtori ekzekutiv i Airbus, Guillaume Faury, ka deklaruar se “ky është moment historik për sektorin e aviacionit komercial, pasi me shpikjen e tyre synojnë të luajnë rol kyç”.
“Konceptet që sot i kemi prezantuar i ofrojnë botës ambiciet tona për një vizion me fluturime me zero emetim të gazrave. Fuqishëm besoj se përdorimi i hidrogjenit – si karburant sintetik ashtu edhe si burim i fuqisë se aeroplanëve komercial, ka potencial të zvogëlojë ndikimin e ndryshimeve klimatike”, ka shtuar ai.
Airbus pretendon se helikat turbo kanë kapacitete të transportojnë deri në 200 pasagjerë në një distancë prej 2 mijë miljesh, derisa koncepti me helika më të mëdha do të ketë rrezen e veprimit të kufizuar për 50 përqind.
Dizajni më tërheqës ai i fluturakes me trupin V, megjithatë që të tri fluturaket kanë motorë me turbinë me gaz që djeg hidrogjenin e lëngshëm sikur të ishte kerozinë, ku përmes djegies së qelizave të hidrogjenit krijohet energjia elektrike. /Telegrafi/