Site icon Telegrafi

Përralla për pellazgët në veprën e Aref Matit

Nga: Viktor Nasi

Përpjekja për të zbuluar të vërtetën historike realizohet me sukses kur mbështetet në fakte dhe në dokumente të shkruara dhe jo në fantazinë dhe në dëshirën e mirë.

Studimi i historisë së popujve të lashtë nuk është aq i mundshëm dhe aq i lehtë. Literatura e deritanishme për historinë e pellazgëve dhe të ilirëve (në plan botëror) është e mjaftueshme dhe nuk fsheh asgjë për të cilën të kërkohet rishikim i shkrimeve, të dhënave dhe punimeve shkencore për temën në fjalë.

Autorët e lashtë në veprat e tyre flasin për pellazgët dhe për ilirët. Nuk janë gjetur gjurmë të dukshme as të gjuhës dhe as të qytetërimit të pellazgëve dhe të ilirëve. Nuk ka asnjë të dhënë për organizimin shoqëror, ekonomik e politik të fiseve pellazge dhe të atyre ilire. Janë përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët e Evropës dhe studiohen në universitetet evropiane të ashtuquajturit parasokratikë të shekujve VIII-VII p.e.r. Nuk kemi, për fat të keq, jo vetëm për shkencën shqiptare, por edhe për historinë dhe gjuhësinë evropiane, asnjë dëshmi jo vetëm për gjuhën e popullit pellazg, por as për gjuhën e fiseve ilire.

Vepra “Shqipëria (Historia dhe gjuha) Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” e autorit Aref Mati (historian shqiptaro-francez), përkthyer nga frëngjishtja më 2007, qysh në titull të krijon përshtypjen se autori ka zbuluar dokumente e të dhëna të panjohura deri më sot që hedhin dritë në historinë aq të mjegullt e të vagëlluar të popullit pellazg dhe në vazhdimësi të fiseve ilire. Vepra është fryt i një pune 40-vjeçare, mbi një literaturë mjaft të pasur. Profesori i universitetit të Sorbonës, Dominik Brikel, në fillim të veprës së A. Matit shkruan: ”Historiani duhet të shndërrohet në gjeograf, në gjuhëtar, në folklorist dhe në shumë specialitete të tjera, nga të cilat secila sjell dritën e saj dhe mundëson për të arritur në siguri absolute, pa dyshim jo pa u gabuar, por të paktën për të ngritur njërin cep të mbulojës dhe për të arritur të shohësh se përkrah qytetërimeve klasike kanë ekzistuar popuj të tjerë, të cilët kanë patur edhe ata vendin e tyre në histori. Është ky thelbi i veprës së A. Matit për shqiptarët dhe stëgjyshërit e tyre të lashtë”.

Jam i mendimit se gabimet që janë bërë vepër janë bërë me ndërgjegje nga autori, duke u nisur nga dashuria për atdheun, nga patriotizmi. Shkenca e historisë dhe e gjuhësisë nuk mbështeten në ndjenjën, por në arsyen dhe mendimin e shëndoshë. Duke lexuar me kujdes veprën vë re se A. Mati nëpërmjet deduksioneve, që nuk justifikohen, shfrytëzon ato pak të dhëna ose edhe ndonjë vlerësim të ndonjë gjuhëtari për të arritur që të hedhë poshtë historinë e parahelenëve pa e dokumentuar e për të thënë se mikenianët ishin pellazgë. Bëhet një përpjekje e cila nuk na jep asgjë të dokumentuar për gjuhën dhe qytetërimin pellazg. Nuk jepet asnjë argument bindës, sepse në fakt shkrimet e gjetura në objektet e zbuluara janë në tjetër gjuhë dhe i përkasin një qytetërimi tjetër.

Vepra e A. Matit nuk mund të hidhet poshtë me një të rënë të lapsit. Ajo u shtohet përpjekjeve që janë bërë më parë dhe do të vazhdojnë të bëhen për të hedhur sadopak dritë mbi mjegullën shumëshekullore.

Të jemi realistë dhe të logjikshëm. Shkenca ka ligjet e saj dhe shkencëtari i ka të qarta ato dhe në bazë të tyre mendon, punon, studion dhe shkruan. Cilat janë dëshmitë dhe dokumentet që ka shkenca e sotme nga kërkimet dhe gërmimet arkeologjike? A. Mati shkruan: “Falë disa autorëve të lashtë, ndër ta Homeri, Hesiodi, Hekati i Miletit, Helanikos i Mitelenit apo Herodoti arrihen të njihen më mirë pellazgët, banorët e parë të botës ballkano-danubiane si dhe të Egjeut, që ishin aty përpara mbërritjes së grekëve”. Autori nuk bën ndonjë zbulim para lexuesve, sepse ato që kanë shkruar për pellazgët, autorët e lashtë grekë të përmendur më lart, janë të njohura nga bota shkencore, por edhe nga lexuesit. Nuk e ka kundërshtuar dhe as e kundërshton njeri faktin që pellazgët kanë ekzistuar dhe që kanë patur gjuhën dhe qytetërimin e tyre. Nuk dimë se ç’gjurmë lanë me përjashtim të kështjellave e mureve mbrojtëse me gurë të mëdhenj. Nuk kemi asnjë emër filozofi, kronikani, historiani, bardi popullor, asnjë dëshmi të shkruar për tregtinë, ekonominë, jetën, luftën etj. Nuk e ka shkruar asnjë historinë e pellazgëve.

Më duket qesharak krahasimi që bën A. Mati se “greqishtja e lashtë ngjason (fonetikë, sintaksë ) të ngatërrohet me dialektin geg të Shqipërisë së Veriut“. Nuk e di se sa e ka njohur autori greqishten e vjetër, por nga literatura që ka shfletuar e studiuar nuk ka vënë re se grekët nuk kishin asnjë kontakt me shqiptarët e Veriut? Që të jem i drejtë me autorin, nuk mund të mos theksoj se në fillim të veprës shkruan se meqë mungojnë të dhënat e dëshmitë, e vetmja mënyrë për të krijuar një ide për gjuhën pellazge dhe ilire është të nisemi nga shqipja e sotme.

Duke lexuar veprën nuk arrin të krijosh asnjë ide si për gjuhën pellazge ashtu edhe për gjuhën ilire, sepse baza e nisjes së autorit është e paqëndrueshme dhe e pasigurt. Profesor E. Çabej e vë në dukje me intuitë të hollë në veprën e tij për historinë e gjuhës, se do të bëhen përpjekje nga gjuhëtarët duke shfrytëzuar disa emërtime vendesh që na kanë ardhur nga ilirishtja për të krijuar themelet e një gjuhësie ilire. Dhe, parashikimi i tij vërtetohet sot më së miri me një sërë përpjekjesh, kryesisht nga historianë për të plotësuar mungesën e dokumenteve dhe të dëshmive gjuhësore me akrobaci deduksionesh, me fantazira dhe diletantizëm. Në fakt është abuzuar shumë me emërtimet aq shumë saqë propagandohet edhe sot se vetëm me anë të gjuhës shqipe mund të shpjegohen fjalë nga të gjitha gjuhët e Evropës.

Përpjekja e arbëreshëve të Italisë në shekujt XVIII-XIX-të, veçanërisht, por edhe e rilindësve shqiptarë për ta cilësuar shqipen si gjuhë më të lashtë nga greqishtja e vjetër dhe që emra të greqishtes përkthehen vetëm me gjuhën shqipe, bëhej me synime propagandistike, patriotike dhe politike për të ushqyer tek shqiptarët e kohës së tyre ndjenjën e patriotizmit për t’u çliruar nga prangat shekullore të pushtimit osman. Sot ajo propagandë është tepër komike, e tejkaluar dhe e pavlefshme si për gjuhën edhe për historinë. Respekti për historinë e vendit dhe të gjuhës tënde është tjetër gjë dhe përpjekja për t’i dhënë kombit dhe gjuhës tënde atë që nuk i takon, prapë është tjetër gjë, por që shpreh një marramendje, një përpjekje për t’i treguar botës se je dikush, në mos më i miri në botë. Bota të njeh dhe nuk është nevoja të mburresh.

Vlera e një kombi dhe e një gjuhe materializohen në artin, kulturën dhe qytetërimin e tij. Është e vërtetë që çdo popull mburret me gjuhën dhe prejardhjen e tij, por ka disa kufij që po u kaluan nuk të përfill e nuk të respekton asnjë popull tjetër. Gjuhën dhe vendin tënd i do ashtu siç janë. ”Evropa që farkëtojmë ka emër grek. Greqia e Vjetër na ka dhënë një gjuhë për të cilën do të them, edhe një herë akoma, që është botërore”, thekson akademikja franceze Zhaklin de Romiji. Gjuha e grekëve ka dy privilegje: Së pari, përbën bashkë me gjuhën kineze parësinë e lakmuar të dy gjuhëve që për 3500 vjet fliten e shkruhen pa ndërprerje. Së dyti, përbën shembullin e vetëm të gjuhës – të vdekur e të folur – e cila për çdo kuptim ka edhe një fjalë. Është i gabuar mendimi se historia e një populli dhe gjuha e tij mund të vidhen nga një popull tjetër.

Cila është prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe?

Historia dhe gjuhësia evropiane si dhe ajo shqiptare e kanë dhënë përgjigjen. I drejtohem veprës së gjuhëtarit tonë të madh me famë botërore, E.Çabej: “Çështja e burimit të shqiptarëve e të gjuhës shqipe, bashkë me çështjen e djepeve e të viseve ku është formuar ky popull, nuk është zgjidhur; historia e vjetër e Shqipërisë është e pështjellë me një mjegull, e thënë me fjalë të tjera, kjo histori na del përpara si një vargua i copëtuar, ku shumë unaza mungojnë: janë disa shekuj me radhë, nga i dyti në të njëmbëdhjetin, në harkun e të cilëve shqiptarët nuk zihen ngoje gjëkundi” (Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, 2008).

Duke analizuar me kujdes të katër tezat e njohura për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, Çabej shkruan: “… nuk ka prova të qarta as në favor të tezës se shqiptarët rrjedhin nga ilirët, as në favor të tezës se shqiptarët rrjedhin nga trakasit; por mund të ecet me ndihmën e gjysmë provave, apo të deduksioneve që mund të bëhen mbi bazën e këtyre të fundit; në favor të tezës ilirike punon argumenti territorial, pasi shqiptarët sot jetojnë në troje që kanë qenë të ilirëve në lashtësi: kjo vijimësi territoriale nuk ekziston në rastin e tezës së origjinës trakse; përsa i takon vijimësisë gjuhësore, nuk mund të thuhet ndonjë gjë kushedi se çfarë, pasi ilirishtja është një gjuhë e panjohur për ne të sotshmit; nuk kanë mbetur krijime, libra, shkrime, mbishkrime, dorëshkrime ilire, gjë që do të na jepte një ide mbi gjuhën e tyre; më kot në mes të mbishkrimeve greke e romake që janë gjendur nëpër gërmadhat e qyteteve të lashta të Shqipërisë kërkojmë një mbishkrim ilir a një mbishkrim dygjuhësh greqisht-ilirisht a latinisht-ilirisht; një mbishkrim i tillë do ta kishte zgjidhur problemin e burimit të shqipes menjëherë”.

Laibnici, gjuhëtari i madh, më 1695 e vuri gjuhën shqipe pranë dymbëdhjetë gjuhëve të njohura në atë kohë në Evropë duke theksuar se prejardhja e saj është nga ilrishtja. Kjo aksiomë e Laibnicit u pranua menjëherë nga studiuesit e mëvonshëm si F. Boppi, Majeri, Hahni etj. dhe në vazhdim deri në ditët tona gjuhëtarët evropianë e kanë futur shqipen në trungun gjenealogjik të gjuhëve indoevropiane si gjuhë pa familje e ardhur nga ilirishtja. Po t’i hedhësh një sy literaturës së studimeve gjuhësore në Evropë, do të gjesh shkrime për gjuhën shqipe. Tuqididi, duke futur në historinë e tij traditën e gjallë, vërteton se ilirët janë një popull i afërt me popullin grek, sepse që të dy vijnë nga e njëjta rrënjë e pellazgëve, të cilët, sipas Strabonit, u shtrinë në të gjithë Greqinë. Shkrimtarët bizantinë, që flasin për shqiptarët, i karakterizojnë si ilirë. Po të vazhdojmë me studiuesit grekë do të shohim se jo vetëm nuk e kanë fshehur historinë e ilirëve dhe të pellazgëve, por janë të vetmit që kanë folur e shkruar për ta e më vonë për shqiptarët, pavarësisht se edhe ata si të gjithë studiuesit vendës e të huaj nuk patën në dorë asnjë dorëshkrim a mbishkrim si në gjuhën pellazge ashtu edhe në gjuhën ilire.

Mati, sipas mendimit tim, nuk ka ndjekur rrugën që të çon nga faktet, dëshmitë, të dhënat e literaturës për historinë dhe gjuhësinë, që të çon në përfundime objektive dhe të sakta. Citon autori gjuhëtarin e gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, Mejenë. Nuk kam asnjë kundërshtim, por do të bëj vërejtjen që kur paraqesim citime t’i japim të plota dhe jo fjali-fjali të shkëputura nga konteksti në të cilin janë shprehur. Do të ishte më e drejtë, që të citonte nga Mejeja disa teza më të cilat pajtohen edhe Pederseni konservator, edhe Hirti që ka realisht dyshimet e tij. Meje thotë: “Vetëm katër gjuhë kanë ardhur deri në ditët tona të dokumentuara që para erës së re, e pikërisht greqishtja, sanskritishtja, latinishtja dhe disa fragmente të hetitishtes; Të gjitha gjuhët e tjera kanë ardhur deri tek ne pothuaj 2000 vjet më vonë në erën e re dhe në një formë mjaft të zhvilluar nën ndikimin e greqishtes dhe latinishtes, të krishterimit e të budizmit”.

Studiuesit e sotëm shqiptarë kanë shumë për të bërë. Duke patur si model veprën voluminoze të gjuhëtarit të palodhur e serioz Tomorr Osmani për alfabetet e gjuhës shqipe, të shtrohen për të publikuar me analiza shkencore dhe shënime shpjeguese monumentet e para të shkruara të gjuhës shqipe: Formulën e Pagëzimit (1492), Katekizmin e Lekë Matrëngës (1595), Mesharin e Gjon Buzukut (1555 ) dhe Fjalorin shqip-latinisht të Frang Bardhit (1635) e duke ardhur në fjalorët dhe gramatikat e ndryshme të botuara në shekujt XIX-XX etj. Nuk janë me vlerë artikujt dhe shkrimet e autorëve të ndryshëm që konkurrojnë se kush do të nxjerrë në dritë datën më të hershme të shkrimit të shqipes. Studiuesit të bëjnë punime që ndriçojnë probleme të sotme të gjuhës sipas degëve të gjuhësisë, pa lënë pas dore edhe gramatikën në frëngjisht të Vaso Pashës, fjalorin e K. Kristoforidhit, shqip-greqisht, gramatikën e I. D. Sheperit etj.

Historianët dhe në mënyrë të veçantë sociologët dhe etnografët kërkohet t’u japin përgjigje pyetjeve të shumta që shtrohen para shkencave të tyre. Kërkohet të hidhet dritë jo vetëm për historinë e lashtë, por për të gjithë shekujt deri më sot apo sipas periudhave të përcaktuara nga studiuesit dhe shkencëtarët. Disa studiues të sotëm mendojnë se është mençuri të kthehen prapa në histori. Evropa dhe bota ecin përpara, prandaj me të drejtë I. Kadareja thekson se shqiptarët nuk duhet të gabojnë përsëri edhe tani pas rrëzimit të diktaturës moniste, vendi i Shqipërisë është në Evropë. Jo të bëjmë shumë zhurmë për asgjë, sepse jo çdo gjë që shkëlqen ka vlerën e floririt. Përrallat zakonisht u pëlqejnë fëmijëve, u pëlqejnë edhe të rriturve, por kjo nuk do të thotë që të shtrembërojmë faktet, historinë dhe të kënaqim veten me përralla, sepse të tjerët kanë programin e tyre dhe as që u intereson se çfarë thonë përrallat e ndonjë studiuesi shqiptar.

 

 

Exit mobile version