Mbi 20 njerëz janë shtruar në spital me simptoma të helmimit me klor pasi një pishinë në Poloni kishte deri në dhjetë herë më shumë kimikate sesa sasia normale.
Bëhet e ditur se nga ky rast të alarmuara kanë mbetur shërbimet e shpëtimit në Varshavë.
Gjatë një ekzaminimi, ata zbuluan se niveli i klorit në pishinë kishte tejkaluar ndjeshëm normën – në fund të pishinës ishte dhjetë herë më i lartë se ai tipik dhe në sipërfaqen e ujit rreth tre herë më i lartë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Për shkak të nivelit të lartë të klorit, tashmë 21 persona janë duke u trajtuar në spital.
Sipas policisë lokale, në mesin e të helmuarve janë edhe katër fëmijë.
Ndërkohë, autoritetet kanë ndaluar tre punonjës të pishinës për shkak të lidhjes së tyre të drejtpërdrejtë me infrastrukturën e pishinës.
Siç raportohet, zyra e prokurorit publik polak do të vendosë për hapat e mëtejshëm pasi ende nuk është përcaktuar pse përqendrimi i klorit në pishinë ishte tejkaluar në mënyrë kaq dramatike. /Telegrafi/