Site icon Telegrafi

Përplasjet brenda PD-së, Alibeaj i bën kërkesë gjykatës: Përshpejtoni shpalljen e vendimit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i ka dërguar një letër gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, Elona Toro.

Letra kërkon përshpejtimin e gjykimit të ankimimit të bërë prej Alibeajt kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri në shkallën e parë, për njohjen e Kuvendit Kombëtar të PD më 11 dhjetor 2021, ku u shkarkua Lulzim Basha si kryetar dhe nisën procedurat që çuan në zgjedhjen e Sali Berishës në krye të partisë më të madhe të opozitës.

“Me pretendimin se ky vendim gjyqësor është dhënë në shkelje flagrante të ligjit, PD ka depozituar ankim kundër tij dhe më 22 prill 2022 ankimi është pranuar. Duke qenë të informuar mbi volumin e lartë të punës në Gjykatën e Apelit, ju drejtohemi me anë të kësaj kërkesë për të përshpejtuar caktimin e seancës gjyqësore të shqyrtimit të ankimit të paraqitur prej nesh, pa marrë për bazë radhën e çështjeve të tjera, të regjistruara në kohë më parë”, thuhet në letrën dërguar gjyqtares.

“Vendimi gjyqësor i kundërshtuar prej nesh dhe që pret të shqyrtohet prej jush ka cenuar në mënyrë të rëndë të drejtën kushtetuese të organizimit të partisë sonë, si dhe rolin kushtetues të partisë sonë, si forca opozitare që garanton pluralizmin dhe demokracinë përfaqësuese”. /A2 CNN/

Exit mobile version