Telegrafi

Përplasje në BE rreth fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Anëtaret e BE-së të hënën janë përplasur në lidhje me fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa sipas raportit të fundit të përbashkët ku ka qasje agjencia e lajmeve “Reuters”, vendimi për të dyja vendet do të mund të anulohet deri në tetor, kur Bundesatagu gjerman do të rishikojë këtë çështje.

Gjatë takimit të djeshëm, përfaqësuesit e Qipros janë kërcënuar se do të vendosin veto të çdo marrëveshje për zgjerim, nëse BE nuk e ashpërson qëndrimin ndaj Turqisë në lidhje me eksplorimin e gazit natyror në Mesdheun lindor, shkruan agjencia britanike.

Ministrat e 28 vendeve anëtar sot do të mbajnë takim për të biseduar për fillimin e negociatave zyrtare për anëtarësimin e të dyja vendeve nga Ballkani.

“Kishte shumë mosmarrëveshje në mes përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe nuk është e sigurt se të gjithë ministrat do të mund të dakordohen”, thonë burimet diplomatike nga BE.

Qipro është kërcënuar se do të bllokojë të gjithë tekstin që ka të bëjë me të gjitha vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, në mesin e të cilave edhe vendet e Ballkanit, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, nëse nuk zgjidhet problemi me Turqinë./Telegrafi/