Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar sot formularët e rezultateve të kandidatëve, ku aty nuk është lënë hapësirë për kandidatët e pa certifikuar. Kjo ka ngjallur debat në mes të anëtarëve të KQZ-së, ku anëtarët nga LVV-ja e kanë kundërshtuar duke thënë se po bëhet qëllimshëm që të dëmtohet Lëvizja Vetëvendosje.
Në formularët e aprovuar sot, tek lista e Lëvizjes Vetëvendosje mungon emri i kandidatit për kryeministër Albin Kurti dhe lista fillon me numrin 2 që e mbanë ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Alim Rama, tha se qëllimisht po dëshirojnë të krijojnë telashe në proces, derisa theksoi se secila votë do të numërohet.
“Dje jeni ankuar, po tash po e shoh që qëllimshëm po doni të krijoni telashe në proces dhe secili duhet të ketë përgjegjësi penale për votën që e bën që krijon probleme, kjo është me qëllim për të krijuar probleme teknike në proces zgjedhor. Unë nuk them se votat do të numërohen në formularin tjetër, numërohet dhe regjistrohet secila votë, se është një kampanjë nëpër rrjete sociale jo nuk numërohen, jo është e pavlefshme. Sqarim, secila votë për cilëndo parti është votë e vlefshme edhe votohen deri në 5 kandidatë”, deklaroi Rama.
Edhe anëtari tjetër i LVV-së, Sami Kurti, pati akuza në drejtim të anëtarëve të tjerë të KQZ-së, i cili tha se është frika dhe urrejtja ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit arsyeja pse po i bëjnë këto veprime.
“Është Lëvizja Vetëvendosje strumbullari është emri i Albin Kurtit që po i pengon, nuk zhduket, ai është një njeri që nuk zhduket. Krejt kjo çka është duke ngjarë është fushatë e zgjedhjes. Mundemi me u qu krejt, strumbullari i problemit, shtylla e problemit është frika edhe është urrejtja ndaj një subjekti dhe ndaj një njeriut dhe krejt këto po bëhen me atë qëllim. E di unë çka është fushatë zgjedhore, kam një përvojë 40 vjeçare çka është janë fushatat, po kjo çka po bëhet me formularë, me bartjen, kjo është veprim i qëllimshëm për hutimin e votuesve, të komisionerëve dhe të vëzhguesve”, u shpreh ai.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se anëtarët e LVV-së po bëjnë fushatë zgjedhore në këtë mbledhje të KQZ-së.
“Çdo mbledhje është krijuar në ankth”, tha ajo.
Asaj i ka reaguar anëtari i LVV-së në KQZ, Alim Rama, i cili i tha se ajo është në një pozitë që të ruajë neutralitetin por që është bërë palë.
“A ia ke bë pyetjen vetës pse, se je bërë palë. Në vend se me e ruajt neutralitetin jeni bërë palë”, tha ai.
Rreth akuzave të anëtarëve të LVV-së ka reaguar edhe anëtari i KQZ-së Rifat Krasniq, i cili tha se nuk dëshiron të dëgjojë ligjëratat e LVV-së.
“Ne jemi këtu institucion KQZ dhe ne i kemi mbledhjet dhe e kemi një rend të ditës. Ne nuk kemi ardhur këtu të dëgjojmë ligjëratat e Vetëvendosjes, unë ligjëratat e kam kryer fakultetin, dy fakultete i kam kryer, nuk po dua t’i dëgjoj prej juve. E dyta, nuk është ky vend Parlament ose tubime për t’i bërë reklamë Vetëvendosjes. Këtu jemi institucioni që duhet të mbrojmë çka ka ardhur (vendimet) prej ligjeve, a këtu për t’i bërë reklamë Vetëvendosjes, shoku im, që frikësoheni ju dilni nëpër tubime, nuk keni nevojë ju neve të na shisni mend”, tha ai.
Gjatë kohës sa ai fliste, anëtari i LVV-së Sami Kurteshi i kërkonte që nëse nuk dëshiron të dëgjojë të dalë jashtë.
Këtu ka reaguar edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila tha se asnjëherë institucioni i KQZ-së nuk ka qenë më i politizuar.
“Asnjëherë institucioni i KQZ-së nuk ka qenë më i politizuar, asnjëherë”, tha ajo.
KQZ në këtë mbledhje ka trajtuar edhe çështjen e votave me postë, ku Sekretariati i KQZ-së ka kërkuar që pakot me fletëvotimet të cilat vijnë me posta të shpejta të mbahen në pritje në objektet e postave të shpejta dhe sekretariati të caktojë një kohë të përshtatshme që ta bëjë bartjen e këtyre zarfeve deri në vendin ku do të ruhen.
Në këtë mbledhje të KQZ-së është bërë e ditur se dje ka përfunduar afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve që vijnë nga subjektet politike dhe OJQ-të, ku u tha se kanë mbërritur 30 mijë aplikime edhe se tashmë të njëjtat janë duke u shqyrtuar. /Telegrafi/