Telegrafi

Përplasje mes Valdete Dakës e Sami Kurteshit në konferencën e KQZ-së

Një përplasje mes kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka dhe anëtarit të këtij Komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka ndodhur gjatë konferencës për medie, për shkak të një njoftimi për votuesit e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut të cilët posedojnë letërnjoftime me afat të skaduar.

Sipas Kurteshit, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të ju lejohet votimi qytetarëve të cilët u ka skaduar afati i letërnjoftimit më 01 janar 2020, gjë e cila u kundërshtua nga Daka.

“Është një vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të gjithë personat në Republikën e Kosovës që nuk kanë letërnjoftime të vlefshme prej datës 01 janar 2020, mund të votojnë me letërnjoftime të skaduara”, tha Kurtishi, i cili tha se e kanë obligim që të njoftojnë qytetarët që mund të votojnë.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, tha se ata nuk kanë marrë asnjë vendim në lidhje me këtë.

“KQZ-ja nuk ka marr vendim lidhur me këtë çështje. Të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, të cilëve ju kanë skadu letërnjoftimet, kanë dokumente tjera, pra nuk janë qytetarët vetëm me një dokument identifikimi. Për këtë çështje kemi diskutuar dhe nuk kemi marrë vendim. Vendimet e KQZ-së, nuk merren në ditën e zgjedhjeve në lidhje me dokumentet, por merren një ditë para zgjedhjeve. Ne nuk kemi marrë vendim në lidhje me këtë”, tha ajo. /Telegrafi/