Dega në Prishtinë e Lëvizjes Vetëvendosje ka hedhur akuza ndaj Partisë Socialdemokrate (PSD) se disa punëtorë të punësuar së voni nga ta në ‘Hortikulturë’ kanë vjedhur një pjesë të druve, të cilat do t’ua lehtësonin kushtet e rënda rasteve sociale në komunën e Prishtinës.
“Në parkun Gërmia ka një numër të madh të drunjve të cilët janë mbledhur nga pastrimi i pyjeve e shtigjeve dhe njëkohësisht ka drunj që janë konfiskuar nga inspeksioni për shkak të prerjeve ilegale. Këto drunj, që janë mbi 600 metra kub, sigurisht që do të lehtësonin kushtet e rënda të rasteve sociale në Komunën e Prishtinës. Për më keq, para disa muajsh është raportuar se pikërisht nga punëtorë të punësuar së voni në Hortikulturë nga PSD, janë vjedhur një pjesë e drunjve”, thuhet në njoftim.
Ata kanë njoftuar se sot, kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Arben Vitia, bashkë me aktivistë kanë shpërndarë dru te disa familje me gjendje të rënduar ekonomike në komunën e Prishtinës.
“Këto dru janë siguruar nga ndihma të aktivistëve e përkrahësve vullnetmirë, të cilët kanë treguar gatishmërinë për solidarizim me ata që kanë më së shumti nevojë”, vazhdon njoftimi.
Më tej, përmes këtij njoftimi Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë kanë thënë se komuna nuk duhet e nuk mund të mbetet institucion që shfrytëzohet si trampolinë nga kryetari aktual, për ta përmbushur ambicien e tij për promovim.
“Meqë zyrtarët nga Komuna e Prishtinës e Qeveria i kanë harruar rastet sociale, është i domosdoshëm angazhimi në aksionet solidarizuese, të cilat edhe ne si Qendër e Lëvizjes në Prishtinë do t’i shpeshtojmë e intensifikojmë”, përfundon njoftimi.