Telegrafi

Përplasja e Halitit dhe Haxhiut në Kuvend

Në vazhdimin e seancës parlamentare pati përplasje ndërmjet kryesuesit të seancës Xhavit Haliti dhe deputetes së LVV-së, Albulena Haxhiu.

E gjithë kjo për miratimin e rekomandimeve të dy grupeve parlamentare që kanë bërë mocionin për interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj,sipas kërkesës së GP të LDK-së dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, të të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimi për lartësinë e pagesës mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale.

Kështu që është bërë i pamundur kuorumi për të votuar këto rekomandime të këtyre dy grupeve.

Deputetët Albulena Haxhiu dhe Avdullah Hoti kanë kundërshtuar mënyrën e votimit dhe ndërhyrjen e kryeministri Haradinaj te deputetët e PDK-së për të mos votuar këtë rekomandim.

“Ajo çfarë desha unë me ngritur këtu, është se para se të filloi procedura e votimit, kryeministri shkoi te deputeti Zenun Pajaziti për të kërkuar që mos me marrë pjesë në votim. Kjo është mbytje e republikës parlamentare, për shkak se nuk ka të drejtë Qeveria me ndërhyrë në punën e Kuvendit dhe në mandatin e lirë të deputetit”, ka thënë deputetja Haxhiu, raporton kp.

Ndërsa, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti ka thënë se është e drejtë e kryeministrit Haradinaj që të kërkojë mendimin e deputetëve.

“Kryeministri, sa i përket pozitës dhe opozitës mundet me komunikuar në mënyrën e vetë që dëshiron edhe në foltore mundet me kërkuar për të mos e votuar. Nuk është kurrë farë shkelje, edhe në foltore mundet me kërkuar mos e votoni. Problem është i deputetit si vendos. Nuk ka drejtë kjo, tash a domi me mbytë a?. Edhe një herë e përsëris votimin. Zenuni është fajtor a?”, ka thënë Haliti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërcënuar se nuk do të marrin pjesë asnjë herë në votime të ligjeve në të ardhmen, sepse sipas tij, kjo është bërë qëllimshëm nga partitë në pushtet.

“Pesëdhjetë veta kanë votuar, seanca nuk mund të vazhdoj më tutje me pika të tjera të rendit të ditës pa o votuar kjo pikë. Nëse ka sjellje të tilla nga pozita, edhe pse ne e kuptojmë se nuk i përkrahin këto rekomandime është çështje e juaja. Por, nëse vazhdon kështu pozita me këto rekomandim për çka I propozuam dhe nuk merr pjesë fare. Unë ju garantoj, se prej këtij momenti ne asnjë ligj nuk e votojmë, as për, as kundër, as abstenim. Por, po ju them një gjë, seanca nuk mund të vazhdoj, sepse u konstatuar që nuk ka kuorum”, ka thënë Hoti.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi nuk pati kuorum. Për vazhdimin e seancës, Haliti tha se do të vendosë Kryesia në mbledhjen e radhës.