Në mbledhjen e komisionit për Legjislacion ka pasur një diskutim ndërmjet deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Ato janë përplasur me fjalë për shkak të ndryshimit të Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme.
Deputetja Izmaku kërkoi që Komisioni për Legjislacion të mos e shqyrtojë këtë pikë, pasi që sipas saj komisionit po i humb kredibiliteti. Ajo madje iu drejtua koleges së saj Haxhiu duke i thënë se po sillet me arrogancë dhe se sipas saj e ka marrë me shumë zemër këtë çështje.
“Nuk e kuptoj pse me kaq emocion Albulenë, ty personalisht po të them, pse po e merr me kaq emocion këtë ligj. Me arrogancë nuk mundesh me udhëheq mbledhjen”, ka thënë ajo.
Ndërkohë që deputetja Haxhiu ka reaguar, duke thënë se nuk i jep llogari deputetes Izmaku.
“Po e marr sepse bashkatdhetarët tanë është duke iu cenuar e drejta e votës. Ndërsa ti mos më trego se qysh me u sill. Pikërisht për shkak të procedurave burokratike bashkatdhetarëve tanë është duke iu cenuar e drejta e votës, dhe po flas me emocion. Ty nuk të jap llogari, je njeriu i fundit që duhet t’i jap llogari”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, dje në Kuvend është krijuar një komision “ad-hoc” për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, ka thënë se ky ndryshim është për t’ua lehtësuar diasporës mënyrën e votimit, i cili sipas tij, duhet të bëhet në ambasadat apo konsullatat e Kosovës ku ata më afër jetojnë./kp/