Pas numërimit të 100 për qind të fletëvotimeve në Prishtinë, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.
Sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, LDK-ja ka marrë 51,07 për qind ose 40.658 vota.
Arben Vitia nga LVV ka 48,93 për qind ose 38.958 vota.
Në këtë përiqndje nuk hyjnë votat me kusht dhe ato nga diaspora.
Pas rezultateve të KQZ-së, kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia i ka uruar fitoren kandidatit të LDK-së, Përparim Rama fitoren në kryeqytet.
“Sipas rezultateve që kemi edhe nga komisionerët tanë, Prishtina tashmë ka një fitues, e ai është zotëri Përparim Rama. Shfrytëzoj rastin të falënderoj aktivistët e LVV-së, qytetarët e Prishtinës dhe zotëri Ramën po ashtu për një kulturë të përgjithshme dhe fushatë korrekte që karakterizoi Komunën e Prishtinës”, tha Vitia në konferencë për medie.
Ndryshe, në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale, dalja ishte 37.88 për qind apo të drejtën e votimit e kanë ushtruar 475,751 qytetarë.
Garat për kryetarë të komunave u zhvilluan në Prishtinë, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot./Telegrafi/