Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, aktualisht ndodhet në Shqipëri.
Kjo pasi sot (e hënë) do të performojë për të gjithë shqiptarët në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, teksa dje (e diel) mori nënshtetësinë shqiptare.
Pak para performancës në sheshin “Skënderbej”, ajo ka mbajtur një konferencë para gazetarëve.
Në këtë konferencë, 27-vjeçarja iu përgjigj disa pyetjeve në lidhje me karrierën, turneun “Future Nostalgia” e po ashtu edhe për lidhjen që ka me Kosovën e Shqipërinë.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu sot në Tiranë dhe që jam këtu me juve në një ditë speciale përpara Pavarësisë. I gjithë turneu ka shkuar shumë mirë. 94 shfaqje bëhen sonte. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur ashtu e kam krijuar edhe një familje që i kam parë për çdo ditë dhe tani të shkëputem një ndjesi jo edhe aq e mirë. Mendoj që nëse kryhet një kapitull, nis një i ri. Jam shumë e emocionuar dhe mezi po pres të shikoj se çfarë do të ndodhë më tutje”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse do të ketë ndonjë pushim pas përfundimit të turneut, Lipa theksoi se do të nisë punën për albumin e ri.
“Periudhë pushimi nuk kam pasur që shtatë vjet. Po mendoj sonte që përfundon turneu tani i kam disa muaj intensive në studio, që të shkruaj për të përfunduar albumin e tretë. Jam në shpi, jam në Londër në shtëpinë time”, tha krijuesja e hitit “Levitating”.
E krejt në fund, Dua shtoi se është e lumtur që do të festojë bashkë me të gjithë Ditën e Flamurit në Shqipëri.
“Është një nder i madh për mua që të jem këtu sonte, mezi po pres që të kalojmë 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me juve”. /Telegrafi/