Wayne Bridge thuhet se e ka nxjerrë shtëpinë në shitje, pasi John Terry është vendosur në afërsi të tij.
Siç transmetojnë The Sun dhe The Mirror, ish-qendërmbrojtësi i Chelseat dhe gruaja e tij, Toni, kanë shpenzuar 4.35 milionë funte (4.83 milionë euro) për rezidencën e re, e cila është vetëm disa minuta ecje në këmbë larg ish-mbrojtësit të krahut në Surrey.
Padyshim se Terry nuk do të ftohet për kafe nga ish-bashkëlojtari i tij, mirëpo do të jetë shumë e vështirë që ata të mos takohen në lagje.
Në ndërkohë, raportohet se Bridge dhe gruaja e tij, Frankie, e kanë nxjerrë në shitje rezidencën e tyre në vlerë prej 5.5 milionë funtesh (6.1 milionë euro).
Ndoshta është rastësi e pastër vendimi i çiftit për ta ndryshuar lokacionin e vendbanimit, mirëpo mediat e kanë lidhur me të kaluarën e dyshes.
Terry dhe Bridge kanë qenë bashkëlojtarë te Chelsea dhe te Anglia, mirëpo raportet e tyre u prishën kur u raportua se kapiteni i Bluve kishte fjetur me të dashurën e atëhershme të Wayne, Vanessa Perroncel, me të cilën kishte qenë në lidhje katërvjeçare dhe kanë një djalë bashkë.
Asokohe, lajmi u bë publik vetëm disa javë pas ndarjes së çiftit, ndërsa në vazhdimësi u publikuan detaje në media nga afera. Pas raportimeve të skandalit në media në vitin 2010, Bridge kishte refuzuar t’ia jepte dorën Terryt në disa ndeshje të mëpasme futbolli. /Telegrafi/