Telegrafi

Përmirësohet cilësia e ujit të Liqenit të Badovcit, së shpejti qytetarët mund ta përdorin për pije

Është përmirësuar cilësia e ujit të Liqenit të Badovcit, dhe se së shpejti qytetarët mund ta përdorin për pije.

Kështu ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ai tha se kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, e ka informuar se është përmirësuar cilësia e ujit të Liqenit të Badovcit.

Ndërsa tregoi se qytetarët brenda pak ditësh do të mund të fillojnë ta përdorin për pije dhe për përgatitje të ushqimeve.

“Ju lutem të keni edhe pak durim, ndonëse e kuptoj shqetësimin që ju keni, sepse z.Fetahu më siguroi që shpejt mund ta konsumojmë ujin sepse tashmë nivelet e manganit në të janë ulur dhe vetëm duhet zbatuar disa  procedura të nevojshme që më pas ta përdorim ujin lirshëm për pije”, tha Rama.

Ka disa javë që ata të cilët furnizohen me ujë nga ky liqen nuk është rekomanduar të konsumojnë ujin për pije për shkak të nivelit të manganit.