Pak më shumë se një javë nga ndeshja Itali-Shqipëri, zhvilluar në stadiumin Renzo Barbera të qytetit të Palermos, tifozeria shqiptare rikthehet në këtë stadium me një parrullë gjigande ku i kërkon falje Italisë për episodet e shëmtuara që ndodhën gjatë zhvillimit të kësaj ndeshje.
Me ngjyrat e flamurit italian në këtë parullë shkruhet “Italia, Palermo ndjesë. Për Shqipërinë ishte një festë, për rrugacët jo!
Në një sfond të bardhë në fund të këtij mbishkrimi shfaqen flamurët kombëtar të Shqipërisë e Italisë të bashkuar me njëri-tjetrin.
Parrulla u shfaq pasditen e sotme gjatë zhvillimit të ndeshjes së series A të kampionatit italian Palermo- Cagliari.
Gjatë ndeshjes Itali-Shqipëri zhvilluar më datë 24 mars, për fazën eliminatorë të Botërorit 2018, një grup i caktuar i tifozerisë shqiptare hodhën në shkallët e stadumit e në fushë, flakadanë e shashka që detyruan ndërprerjen e lojës për rreth 8 minuta.
Policia italiane me anë të telekamerave të sigurisë po heton në gjendje të lirë 77 tifozë shqiptarë e për disa orë ka mbajtur të arrestuar një tifoz shqiptar.
Federata shqiptare e futbollit ka dënuar publikisht këtë gjest duke përjashtuar për gjithmonë grupin e kësaj tifozërie nga ndeshjet e kombëtares shqiptare.