Site icon Telegrafi

Përmes monologut, 81-vjeçari Steven Berkoffi dështon të eksplorojë psikikën e Weinsteinit

Teatri paralajmëron se Steven Berkoff po shkon aty “ku askush nuk guxon: brenda kokës së Harvey Weinsteinit”. Por, ai ka humbur kohë me këtë, shkruan Arifa Akbar për Guardian. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.

Steven Berkoffi, me një monolog dramatik prej 45 minutave, parafytyron botën e brendshme të manjatit të turpëruar të filmit në Hollivud, i cili nuk ka pranuar fajin për akuzat për sulme dhe përdhunim seksual. Përkundër premtimeve se shikuesit do të mësojnë më shumë për zemrën e errët të #MeToo, ky produksion – me tekst, regji dhe interpretim nga Berkoff 81-vjeçar – jep pak përtej asaj që dimë nga titujt dhe fotografitë.

Harvey Berkoff nuk është i gatshëm – ose nuk është në gjendje – të hulumtojë thellë brenda shpirtit të Weinsteinit. Në vend të kësaj, është zënë në një cikël të përsëritur të mohimit, fajit, keqardhjes dhe zemërimit, kështu që e liga nuk zbulon asgjë më shumë në këtë shfaqje se banalitetin.

Harvey shfaqet me fanelle, poshtë me pantallona sportiv, krah të rrudhur dhe fytyrë të parruar. Në fillim, një zë i çuditshëm përmbledh ngritjen dhe rënien e tij: “Oh Harvey… mbi 80 gra kanë dalë para… Pas të gjitha këtyre filmave: seks, gënjeshtra dhe videokaseta, ‘The Crying Game’, ‘Pulp Fiction’, për të cilën keni fituar një Oscar…”

Skenografia është një qeli burgu me hapësirë hetimi. Skena është e madhe dhe e zbrazët, me përjashtim të një karrige me lëkurë të kuqe dhe një mbështetëseje këmbësh të ndriçuar në qendër. Berkoffi gjithmonë është paraqitur me fizikë të fortë në skenë, prandaj është e çuditshme pse rri ulur dhe pse është statik për pjesën më të madhe të lojës. Ai çohet në fund, por shpejt ulet prapa dhe efekti humbet.

Berkoffi nuk futet shumë thellë në psikikë, por ndryshimet e emocioneve, nga fajësia dhe urrejtja për veten, kapin të paktën paradoksin e mizogjinisë. Pikërisht në urrejtjen e Harveyt për gratë e bukura që has (“Paratë që shpenzojnë në buzët, vithe dhe gjoks”), shfaqet fyerja fizike (“Je e trashë dhe e shëmtuar “), frika e refuzimit (“Asnjë burrë nuk paramendon gjë me ty “) dhe vrazhdësia (“Mish, mish!”).

Por, ka pak kompleksitet përtej kësaj. Ne nuk mësojmë asgjë nga jeta e hershme e Harveyt, që mund të ketë lënë gjurmë psikologjike në sjelljen e tij. As ka një sfond rreth gruas dhe fëmijëve që përmenden shkurtimisht. Berkoffi ka pohuar se ka një nëntekst antisemitik në raportimin e çështjes së Weinsteinit, por edhe kjo është një mundësi e humbur që loja e tij nuk e prek dot.

Produksioni tregon se kjo është punë në proces dhe se Berkoffi ka një tekst me vete në skenë (edhe pse për ata që blejnë bileta në internet nuk thuhet asgjë se loja ende po punohet). Tek kur harron rreshtat, na kujtohet lehtësia dhe karizma e Berkoffit në skenë. Për fat të keq, ai ka humbur kohë me Harveyn. /Telegrafi/

Exit mobile version