Këngëtarja Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku i dhanë fund beqarisë së tyre.
Dyshja kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë sonte (e premte) në një ceremoni me shumë të ftuar, në Pallatin Mbretëror në Tiranë, shkruan Telegrafi.
Ata dhanë betimin e tyre se nuk do ndahen për asnjë moment nga njëri-tjetri, do jenë pranë në të gjitha sfidat e jetës, në të mirë e në të keq.
Xhensila mori vëmendjen e gjithë të pranishmëve, teksa u shfaq plot shkëlqim në vellon e bardhë, të punuar bukur dhe me detaje enkas për të.
Jo më pak vezullues dukej edhe dhëndri i mbrëmjes, aktori i njohur i humorit Bes Kallaku, i cili edhe në ditën më të rëndësishme të jetës së tij, nuk i la anash batutat.
Shumë personazhe VIP ishin pjesë e ceremonisë martesore të çiftit, ndër ta emra të njohur të skenës si: Ardit Gjebrea, Aurela Gaçe, Greta dhe Eni Koçi, Lori Hoxha, Samanta Karavella, Capital T, Sinan Hoxha, Rezarta Shkurta etj.
Për muzikën gjatë kësaj mbrëmje, është kujdesur këngëtarja e njohur Aurela Gaçe.
Momentet më të lumtura të kësaj nate, Xhensila nuk ka hezituar t’i ndajë me fansat e saj në rrjetet sociale përmes fotografive, të publikuara në një album që ajo e quan “Momentet e Bekuara”. /Telegrafi/