Në aktakuzë për çështjen McGonigal mund të jetë përmendur 14 herë, por këto nuk janë 14 akuza. Ka qenë ky argumenti i parë i kryeministrit Edi Rama në mocionin me debat që po mbahet në Kuvend këtë të enjte.
Kreu i qeverisë po lexon para ligjvënësve në Parlament të gjitha herët që emri i tij është përmendur në aktakuzë, duke pohuar rast pas rasti që bëhet fjalë për fakte, ngjarje që kanë ndodhur, por jo për krime.
Rama i pranon si fakte të gjitha herët kur emri i tij përmendet në aktakuzë, si për rastet kur takohet me ish-zyrtarin e FBI-së ashtu edhe me personat A dhe B në aktakuzë, por mohon që në ndonjë rast të ketë akuza apo “krime të kryera.”
“Po e vërtetë është që hëngra darkë me McGonigal. Dhe më ka ftuar ai mua. Dhe ku është krimi këtu? Hera e dhjetë, mbrojtja e të akuzuarit dështoi të provojë se i akuzuari i ka raportuar takimet edhe udhëtimet. Pra, këtu flitet për të akuzuarin që nuk ka bërë sipas ligjeve të tyre, detyrën e tij. Po ku hyn këtu krimi im? Se i raportoi ai apo jo qendrës që më takoi mua?”
Rama theksoi se ai, “si kryeministri i një vendi milingonë në hartën e botës” nuk mund të ketë fuqinë që të blejë SHBA-në. /Telegrafi/