Telegrafi

Përmbytjet kanë bërë ‘kërdinë’ në Antalia të Turqisë – pamjet tregojnë kaosin e krijuar

Shirat e rrëmbyeshëm të dielën shkaktuan përmbytje në provincën e Antalias në Turqi.

Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, nuk u raportua për viktima, por përmbytjet “prishën” jetën e përditshme, veçanërisht në Kumluca dhe Finike, dy rrethe të Antalias.

Siç bëhet e ditur më tej, disa ndërtesa u përmbytën kur reshjet shkaktuan vërshimin e përrenjve nga brigjet e tyre.

Në Kumluca, autoritetet lokale përdorën altoparlantë për të paralajmëruar vendasit që të qëndronin në shtëpi ose në vende të sigurta në “nivele më të larta”.

Përmbytjet “morën me vete” disa makina ndërsa buldozerët kaluan nëpër rrugët e përmbytura për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në makinat e tyre.

Ndërprerjet e energjisë kanë prekur qarkun ndërkohë që në Kumluca dhe Finike shkollat janë mbyllur të hënën për shkak të përmbytjeve.

Tekin Erdemir, guvernator i qarkut për Kumluca, tha të hënën se shirat e rrëmbyeshëm që u intensifikuan të dielën në mbrëmje çuan në përmbytje në disa lagje dhe shumë shtëpi dhe dyqane.

Nga përmbytjet është shembur edhe një urë, ndërsa disa rrugë në Kumluca janë dëmtuar gjithashtu. /Telegrafi/