Klubi basketbollistik Peja ka bërë një rikthim sensacional në derbin kryesor kundër Sigal Prishtinës duke fituar në palestrën “Karagaçi” me rezultat 81-73.
Skuadra mysafire ishte më e mirë në çerekun e parë, të cilin e mbylli me epërsi prej 12 pikësh (8:20).
Me mbështetje të madhe të tifozëve, vendasit u përpoqën të ktheheshin në fraksionin e dytë, por vizitorët nuk lëshonin pe.
Sidoqoftë, pejanët ia dolën që ta ngushtonin rezultatin dhe pas pjesës së parë ishin prapa tetë pikë (24:32).
Sensacional ishte rikthimi i nikoqirëve në çerekun e tretë, në të cilin arritën në një moment që ta barazonin rezultatin (36-36) dhe pastaj për herë të parë kaluan në epërsi (43-41).
Pas disa barazimeve të disahershme, pjesëloja e tretë u mbyll me rezultat 48:47 dhe ky ishte çereku i parë të cilin Peja e përfundonte me avantazh.
Në dhjetëminutëshin e fundit, basketbollistët e ekipit vendas vazhduan të ishin më të përqendruar dhe pos që e ruajtën epërsinë, edhe e rritën shumë atë.
Mirëpo, kur besohej se pejanët e kishin në dorë fitoren, ata dështuan në disa raste dhe Prishtina kaloi në epërsi duke e bërë sërish dramatik fundin e derbit.
Në sekondat e fundit rezultati u barazua dhe koha e rregullt përfundoi me rezultat 67:67 duke bërë që ndeshja të shkonte në vazhdime.
Në vazhdime, Peja u tregua skuadër shumë më e fortë dhe arriti që t’i gëzohet fitores me rezultat 81-73.
Kjo ishte fitorja e dytë sezonale e Pejës që e ka nisur më së miri garën për ta kërkuar titullin e Superligës së Kosovës në basketboll, derisa Sigal Prishtina e ka regjistruar humbjen e dytë. /Telegrafi/