Në 200 shtete të botës, prej 8-14 nëntor u shënua Java Botërore e Ndërmarrësisë. Në Kosovë kjo javë zyrtarisht u hap nga presidentja Vjosa Osmani dhe u mbyll me aktivitetet e nxënësve të Shkollës Finlandeze.
Për 7 ditë në Kosovë u organizuan 70 ngjarje.
Java Botërore e Ndërmarrësisë në Kosovë u hap më 8 nëntor me një ceremoni të organizuar në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë ceremoni u transmetua video mesazhi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ndërsa për rëndësinë dhe fuqizimin e ndërmarrësisë ne vend, në këtë ceremoni të pranishmëve ju drejtuan edhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-së, Nicholas J. Giacobbe, ushtruesja e detyrës së ambasadores së Suedisë, Nasrin Pourghazian, shefi i Zyrës së BERZH-it, Neil Taylor, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka si dhe Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së dhe nikoqir i kësaj ngjarje.
Kryeministri Kurti ishte pjesë e ngjarjes hapëse të aktiviteteve të Odës Ekonomike Amerikane, e cila përgjatë javës organizoi 23 aktivitete me tema të ndryshme dhe mysafir të shumtë, përfshirë ish-presidentin Behgjet Pacolli, ministren e Arsimit, Arberie Nagavci, kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërmarrësin Ramiz Kelmendi, ish-ambasadorët Bernard Nikaj, Zana Rudi e Leon Malazogu.
Disa nga temat e shtjelluara në aktivitetet e Odes Ekonomike Amerikane (OEAK) ishin gratë dhe ndërmarrësia, edukimi dhe roli në ndërmarrësi, e-commerce, dështimet dhe rruga drejt suksesit, diplomacia komerciale, etj.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga ishte pjesë e hapjes së aktiviteteve të Kolegjit AAB dhe UN Women Kosovo, në kuadër të Javës Botërore të Ndërmarrësisë. Ky kolegj organizoi 11 aktivitete gjatë GEW, në kampuse të qyteteve të ndryshme të Kosovës.
UN Women dhe Kolegji AAB organizuan edhe ngjarje tjera si ligjërata, vizita studimore dhe aktivitetin për fuqizimi ekonomik të grave të komunitetit jo shqiptar.
Numër i madh i aktiviteteve nga organizatat partnere, me theks gratë në ndërmarrësi dhe gjithëpërfshirja, u organizuan gjatë kësaj jave.
Ngjarja e parë gjatë ditës së dytë të Javës Botërore të Ndërmarrësisë u organizua nga “She Inspires” dhe Jehona Lluka në ambientet e ICK. Gratë ndërmarrëse (Hana Qerimi – Shkolla Digjitale, Arbresha Shala – Big Scoop, Zana Budima – SQA Consulting SEE, Besa Begu – Dental Hygienist dhe Vlora Avdiu Burani – BERZH), rrëfyen për rrugëtimin dhe sfidat, qasjen në financa, rolin e familjes dhe planet për të ardhmen.
Në Cacttus Education, u shtjellua tema e vajzave në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit, aktivitet i mbështetur nga USAID Compete.
Në këtë ngjarja përvojat e tyre i ndanë Melina Hajdini, pjesë e Cacttus Business Solutions, Drenusha Imeraj nga Polymath, Melisa Bekaj pjesë e Barut, Egzona Vllasaliu nga kompania Ornio AS, Rrezarta Pllana nga Cacttus Business Solutions si dhe Vildane Kelmendi, drejtoreshë e Programeve në Cacttus Education.
E marta biznesore (Business Tuesday) e organizuar nga Innovation Centre Kosovo, po ashtu pati për teme gratë ndërmarrëse në sektorin e TIK-ut.
Rrugëtimin e tyre me mysafirët e ndanë: Hana Zeqa (FightorFlight), Saranda Rexha (Stress Free Corner) dhe Vesa Salihu (Common Store). Ky diskutim është drejtuar nga Dorina Grezda (ICK) dhe u mbështet nga USAID Compete.
Kolegji Universum organizoi forumin “Mbështetje e grave të margjinalizuara përmes edukimit formal”, më folëse Teuta Sahatqija (Women in Tech), Rrezerta Delibashzade Krasniqi (D4D) dhe Arijeta Gashi (Single Parent Association).
Women in Tech Kosovo dhe KUSA, me mbështetje të Ambasadës amerikane prezantuan programin “The future of STEM is Female”, gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe folës të pranishëm ishin Blerim Rexha (Universiteti i Prishtinës), Venera Demukaj (RIT Kosovo), Shkëndije Himaj (anëtare e bordit në KUSA) dhe Ardian Hoxha, ndërmarrës.
Jakova Innovation Centre organizoi takimin me ndërmarrësit e rinj për qasje në financa.
Tema e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse u shtjellua edhe nga TEB Bank, në një ngjarje të madhe të organizuar në Prishtinë.
Odat Ekonomike Gjermane dhe Zvicrane në Kosovë organizuan takimin me ndërmarrës me temen “Mundësitë e bërjes biznes me tregun gjerman dhe zviceran”.
Takim virtual me diasporën me temë “Remitencat” u organizua nga GERMIN gjatë GEW 2021.
Trajnime për kontabilitet, shkrim të projekt propozimeve për biznese startup, kujdesi ndaj konsumatorëve dhe financa, gjatë javës u organizuan nga Melita & Partners, Innovation Centre Kosovo dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe UN Habitat lansuan garën “Waste Wise Challenge” për ide të gjelbra biznesi. Aplikimet janë të hapura, më shumë info këtu.
Business Consultants Council organizoi 8 sesione online dhe lansoi projektin për transformim digjital të bizneseve të mesme dhe startup. Disa prej temave nga sesionet online përfshinë: ndikimin e pandemisë në digjitalizimin dhe sjelljen e konsumatorëve, marketing digjital dhe e-commerce, burimet njerëzore, ISO standardet, qeverisja korporative, etj.
Kosovo Education Center (KEC) dhe programi ASSET organizuan aktivitetin “Zhvillimi i shkathtësive ndërmarrëse tek adoleshentët”.
Ky aktivitet shërbeu si platformë për ndarjen e përvojave të nxënësve dhe mësimdhënësve në zbatimin e mësimit për ndërmarrësi, përfitimet nga themelimi i firmave ushtrimore, dhe diskutuan për veprimet që duhet ndërmarrë nga sektori i arsimit dhe biznesit.
STIKK dhe ICK u takuan me studentë të RIT Kosovo, ku prezantuan mundësitë dhe programin e “Erasmus for Young Entrepreneurs”.
Po ashtu, STIKK prezantoi raportin e vlerësimit të shkathtësive digjitale të qytetarëve të Kosovë. // VIDEO //
Dita e Karrierës me Coca Cola HBC Kosova u organizua në Innovation Centre Kosovo.
Të rinjtë nga qytete të ndryshme paten mundësinë të dëgjojnë përvojat dhe këshillat për orientim në karrierë nga Ilir Cakolli, menaxher regjional i shitjeve në Coca-Cola HBC, Shkëndije Himaj, eksperte e financave dhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Nxënësit e American School of Kosova (ASK) ishin nikoqirë të diskutimit “Inovacioni dhe Kreativiteti në Ndërmarrësi” me folës Valon Nitaj (Tatamata) dhe Krenar Batusha (Pro Real Estate).
Java Botërore e Ndërmarrësisë në Kosovë u mbyll me aktivitetin Code Fest 2021, nga nxënësit e shkollës Finlandeze.
Gjatë këtij aktiviteti, fëmijët patën mundësinë të mësojnë bazat e kodimit dhe robotikes.
Java Botërore e Ndërmarrësisë është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, e cila bën bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës dhe akterë tjerë, që për qëllim kanë zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin
Që nga vit 2013, Innovation Centre Kosovo është nikoqir zyrtar i GEW për Republikën e Kosovës. Qëllimi i GEW Kosova është motivimi i të rinjëve për të konsideruar ndërmarrësinë si rrugën e tyre të së ardhmes. GEW Global dhe GEW Kosova punojnë bashkë në krijimin e rrjetit të organizatave partnere dhe komunitetit të liderëve lokal, si promotorë të përhershëm të vlerave të GEW, përgjatë tërë kohës. GEW po ashtu shërben si platformë për lidhjen e ndërmarrësve të rinj dhe inovatorëve të Kosovës me ndërmarrës, partnerë dhe investitorë potencial.
GEW në Kosovë mbështetet nga Ambasada e Suedisë, EBRD Star Venture, Zyra e Presidentes, Ambasada e SHBA-ve, USAID Compete Activity dhe GIST. /Telegrafi/