Telegrafi

Përmbledhje e gjykimit të anëtarëve të VV-së: Të arrestuar për fjalë si ne, ka veç në Korenë e Veriut (Video)

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë kthyer në Gjykatën Themelore të Prishtinës ne vazhdimin e gjykimit për rastin e veturave të EULEX-it. 27 persona janë të akuzuar për veprën penale pjesëmarrje në grup që kryen huliganizëm.

Në mesin e tyre, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, dhe drejtori i Inspeksionit në Prishtinë, Xhelal Sfeqla. Ky i fundit është arrestuar në mëngjes për t’u sjellë në Gjykatë, meqenëse ka refuzuar të përgjigjet në thirrjet e Gjykatës.

Në emër të akuzuarve, Dardan Molliqaj ka bërë kërkesë për përjashtim të gjyqtarit të rastit, sepse ka thënë se ka bërë shkelje procedurale dhe etike. Por, kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi, përgjegjës për këtë, ka refuzuar kërkesën për përjashtim të trupit gjykues.

Zyrtarët e Vetëvendosjes, kanë thënë në Gjykatë se ky është dëshmuar të jetë rast politik. Konjufca tha se janë arrestuar për fjalë dhe se raste të tilla të arrestimeve nuk ka më as në Rusi e Kinë, pos në Korenë e Veriut.

Në fund, gjyqtari Vesel Ismajli ka marrë vendim që të gjithëve t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe ata të mbrohen në liri.