Telegrafi

Përleshje me thika në Prishtinë, tre persona të lënduar

Në dy raste të përleshjeve sot në Prishtinë, tre persona janë therur me thikë, prej të cilëve njëri është shtrirë në QKUK për trajtim mjekësor.

Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, rasti i parë ka ndodhur në lagjen e spitalit derisa rasti tjetër në rrugën “Muharrem Fejza”.

“Rreth orës 14:00 është raportuar për një therje me thikë të ndodhur në një lokal në lagjen e spitalit në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga të dhënat e para dyshohet për një person të lënduar nga mjeti i mprehtë ( thikë) i cili është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor. Aktualisht policia ka ngritur dyshimet për dy të dyshuar të implikuar në rast, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes ndërkohë që është iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”, tha Borovci për Telegrafin.

Ai tha se në rastin e dytë, i cili ka ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza”, dy persona kanë marrë lëndime nga therja me thikë.

“Rreth orës 18:00 është raportuar për një therje me thikë të ndodhur në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në lagjen Mati në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga të dhënat e para dyshohet për dy persona të lënduar nga mjeti i mprehtë ( thikë) të cilëve u është ofruar trajtimi mjekësor. Një i  person, që dyshohet të jetë i implikuar në rast, është shoqëruar për në stacionin policor. Ndërkohë që policia ka iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”, tha Borovci. /Telegrafi/