Në dy raste të përleshjeve sot në Prishtinë, tre persona janë therur me thikë, prej të cilëve njëri është shtrirë në QKUK për trajtim mjekësor.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, rasti i parë ka ndodhur në lagjen e spitalit derisa rasti tjetër në rrugën “Muharrem Fejza”.
“Rreth orës 14:00 është raportuar për një therje me thikë të ndodhur në një lokal në lagjen e spitalit në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga të dhënat e para dyshohet për një person të lënduar nga mjeti i mprehtë ( thikë) i cili është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor. Aktualisht policia ka ngritur dyshimet për dy të dyshuar të implikuar në rast, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes ndërkohë që është iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”, tha Borovci për Telegrafin.
Ai tha se në rastin e dytë, i cili ka ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza”, dy persona kanë marrë lëndime nga therja me thikë.
“Rreth orës 18:00 është raportuar për një therje me thikë të ndodhur në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në lagjen Mati në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga të dhënat e para dyshohet për dy persona të lënduar nga mjeti i mprehtë ( thikë) të cilëve u është ofruar trajtimi mjekësor. Një i person, që dyshohet të jetë i implikuar në rast, është shoqëruar për në stacionin policor. Ndërkohë që policia ka iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”, tha Borovci. /Telegrafi/