Telegrafi

Përleshje në Washington, truprojat e Erdoganit sulmojnë protestuesit kurdë (Video)

Nëntë veta janë lënduar dhe dy të tjerë janë arrestuar gjatë një përleshje tek rezidenca e ambasadorit turk në kryeqytetin amerikan.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet kanë bërë të ditur se dy nga të lënduarit kishin marrë lëndime të rënda dhe janë dërguar në spital me autoambulancë.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur rreth orëve të pasdites së ditës së martë.

Sipas dëshmitarëve, përleshja ka ndodhur kur ekipi i sigurimit sulmoi protestuesit që po mbanin flamujt e partisë kurde PYD jashtë presidencës.

Zëdhënësi i Departamentit të Policisë Metropolitane, Dustin Sternbeck, tha se përleshja shpërtheu mes dy grupeve, por ai nuk shtjelloi rrethanat. Ai tha se dy persona u arrestuan, përfshirë një të akuzuar për sulm ndaj një oficeri policie.

Përleshja ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Recep Tayip Erdogan u takua me Presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Departamenti i Shtetit refuzoi të komentojë. /Telegrafi/