Site icon Telegrafi

Përleshje mes protestuesve dhe policisë izraelite në Tel Aviv, kërkojnë rikthimin e pengjeve

Policia izraelite ka përdorur topa uji për të zmbrapsur protestuesit që po protestojnë kundër qeverisë së Benjamin Netanyahut në Tel Aviv dhe po kërkojnë rikthimin e pengjeve nga Gaza, pasi u raportua se ekziston një dozë e madhe optimizmi nga ana e qeverisë që të arrihet një marrëveshje me grupin militant Hamas për lirimin e pengjeve, shkruan Times of Israel.

Përplasja mes tyre ishte ndër më të dhunshmet që kur shpërtheu lufta më 7 tetor, ku si pasojë u arrestuan 21 persona dhe dhjetëra tjerë u lënduan të shtunën mbrëma në rrugën Kaplan, përballë bazës ushtarake Kirya, transmeton Telegrafi.

Protestuesit u konfrontuan me policinë që kishin për detyrë të shpërndanin turmën që kishin bllokuar autostradën Ayalon, ka njoftuar zëdhënësi i policisë.

Ata përdorën topa uji për të shpërndarë protestuesit e mbledhur që nuk ishin të paktë në numër. E të paktën dy prej protestuesve që u arrestuan, ishin edhe organizatorë të protestës kundër qeverisë izraelite.

Gjatë përleshjeve me policinë janë lënduar dhjetëra persona që kërkuan trajtim mjekësor. Në një video të postuar shihen policët duke përdorur kuajt dhe shkopat e gomës, për të zmbrapsur turmën që çdo herë e më shumë bëhej e dhunshme. /Telegrafi/

Exit mobile version