Site icon Telegrafi

Përleshje në Klinë, gjashtë të lënduar – tre prej tyre nga mjetet e mprehta

Një përleshje fizike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Ujmirë të Klinës, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar gjashtë persona.

Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin, duke bërë të ditur se tre nga të lënduarit kanë pësuar lëndime nga mjetet e mprehta, konkretisht thika.

“Rreth orës 19:50, stacioni policor në Klinë është njoftuar për një përleshje në fshatin Ujmirë. Menjëherë pas raportimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se si pasojë e përleshjes janë lënduar gjashtë persona, prej të cilëve tre dyshohet se janë plagosur me mjete të mprehta”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë për trajtim fillestar, ndërsa më pas janë transferuar në spitalin rajonal të Pejës.

Dy prej tyre, për shkak të lëndimeve më të rënda, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Shkaqet e përleshjes ende mbeten të panjohura, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit./Telegrafi/

Exit mobile version