Në Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Aksidentet e Trafikut, janë përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën në rrugë përmes një aksioni simbolik, të organizuar nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit dhe Kolegji Tempulli.
Aktiviteti përfshinte ndezjen e qirinjve për të nderuar kujtimin e viktimave.
Sipas të dhënave, gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, 85 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në Kosovë.
Megjithatë, nënkoloneli Jeton Rexhepi nga Divizioni i Trafikut Rrugor të Policisë së Kosovës theksoi se ka një ulje të numrit të viktimave krahasuar me vitet e kaluara.
“Ne, me këto aktivitete, po i bashkohemi një thirrjeje ndërkombëtare për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor. Këtë vit kemi shënuar ulje të ndjeshme të numrit të viktimave, me 30 persona më pak krahasuar me një dekadë më parë,” tha Rexhepi, duke bërë thirrje për ndryshim të sjelljes në trafik për të parandaluar aksidentet dhe humbjet tragjike.
Ndërkohë, eksperti i komunikacionit Muhamed Krasniqi bëri të ditur se ky aktivitet përfaqëson përmbylljen e aktiviteteve të organizuara për shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafik.
“Ky është momenti përmbyllës i aktiviteteve të Kosovës për këtë ditë botërore, duke adresuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore,” tha Krasniqi.
Policia e Kosovës, përmes një deklarate, apeloi për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të shmangur tragjeditë në rrugë.