Janë larguar nga puna 24 zyrtarë policor në Policinë e Kosovës në njësitet e trafikut. Ata kanë punuar në njësitet e autostradave, në njësitin e Prizrenit dhe Mitrovicës.
Policët e larguar janë pjesë e 59 policëve të arrestuar më 19 dhjetor të viti të kaluar, të cilët dyshohen për marrje të ryshfetit.
Lajmin e ka konfirmuar Zyra për Informim e policisë së Kosovës.
“Komisioni i Brendshëm Disiplinor i Policisë së Kosovës ka pranuar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, 52 lëndë me rekomandim për ndërprerje te marrëdhënies se punës, me dyshim për shkelje disiplinore”, thuhet në përgjigjen e zyrës.
Kjo zyrë ka treguar se edhe rastet e tjera janë në trajtim dhe vendimi për to pritet në ditët e ardhshme.
“Deri me tani ka mbajtur seancat dëgjimore në të cilat janë trajtuar 25 raste, nga te cilat në 24 raste në Komisionin e Brendshëm Disiplinor janë dëshmuar akuzat dhe paneli i KBD-së i PK-së ka shqiptuar masën disiplinore ‘Ndërprerje e marrëdhënies se punës’, ndërsa ne 1 rast ka kërkuar hetime shtese”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.
59 policët ishin arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa më pas ishin ngritur aktakuza ndaj tyre.