Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ka marrë vendim që ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Në letrën dërguar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, presidenti i ENQA-s Christoph Grolimund, ka treguar arsyet e vendimit të bordit të ENQA-s lidhur më përjashtimin e AKA.
Në letër thuhet se, bordi i ENQA-s ka ardhur në përfundim se niveli i përgjithshëm i pajtueshmërisë me Standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (ESG) nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar anëtarësimin e Agjencisë në këtë fazë.
Lidhur me largimin e AKA nga ENQA është deklaruar ekspertja e arsimit në Kosovë, Bardha Qirezi.
Qirezi ka thënë për Telegrafin se vendimi për të përjashtuar AKA nga ENQA është lajm i keq për Kosovën dhe komunitetin akademik.
“Aplikimi për ri-anëtarësim ka qenë i ngutshëm dhe pa i plotësuar rekomandimet paraprake. Përjashtimi do të thotë që AKA nuk i ka plotësuar kushtet që kërkohen nga European Standards and Guidelines for Quality Assurance in the European Higher Education Area (ESG).
Këto standarde që aplikohen për agjencionet mund ti gjeni në shqip http://www.akreditimi-ks.org/docs/Guidelines/ESG/ESG_2015_sq.pdf
Siç ceket aty është e rëndësishme që cilësia të kuptohet njëjtë përtej kufijve dhe ndër të gjithë aktorët. ENQA ka vlerësuar se ky standard në Kosovë nuk është plotësuar sepse interpretimet për cilësinë janë të ndryshme nga politikanët, institucionet arsimore dhe të tjerët”, ka thënë Qirezi për Telegrafin.
Për largimin e AKA nga ENQA, Qirezi tha se Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të kenë përgjegjësi.
“Institucionet e Arsimit të Lartë kanë përgjegjësinë individuale dhe të brendshme për sigurimin e cilësisë dhe ato duhet të vazhdojnë të zbatojnë ESG standardet dhe të përgatiten për brendësimin e tyre jo vetëm formalisht por në mënyrë të mirëfilltë. IAL duhet të jenë prijëse në sigurimin e standardeve dhe jo vetëm të arrijnë ato me detyrim nga AKA apo me anë të devijimit nga standardet. Nga studentët kërkohet të luajnë rol aktiv në vendimmarrje në IAL dhe jo të jenë pasiv dhe kundërshtues ndaj standardeve të cilësisë”, tha ajo.
Qirezi tha se kërkohet një bashkëpunim nga të gjithë akterët për përmirësuar gjendjen.
Ndër të tjera, Qirezi tha se anëtarësimi i AKA në ENQA siguron një vërtetim ndërkombëtar për vlerën e diplomave të IAL në kontekst ndërkombëtar dhe lehtëson mobilitetin.
Gjithashtu ajo tregoi se AKA ka dy kohë tani dy vite për tu përmirësuar të gjitha aspektet që kërkohen.
“AKA ka dy vite kohë për tu përmirësuar në të gjitha aspektet e kërkuara si p.sh: Krijimi koncensusit të gjerë për definimin e rolit të AKA, Sigurime i burimeve financiare dhe njerëzore të duhura për të siguruar profesionalizëm, Krijimi i rutinave standarde të Sigurimit të brendshëm të cilësisë, Mungesa e monitorimit, Standardizimi i procedurave dhe raporteve të ekspertëve të jashtëm dhe përzgjedhja e tyre në bazë kritereve dhe shkathtësive të kërkuara, Të plotësohen rekomandimet e ENQA-s para aplikimit”, bëri të ditur ajo.
Për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), ka reaguar edhe ish-drejtori i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha.
Rexha ka thënë se përjashtimi nga ENQA është lajm i keq për të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës.
“Pas përjashtimit Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në shkurt të vitit 2018, përjashtimi tani në shtator 2019 nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) paraqet konsekuencën fatale të radhës së keq menaxhimit në arsimin e lartë! Por, ky debakël ka qenë i pritur, pas gjithë atyre ndërhyrjeve politike që ndërmori ish-qeveria për të përfituar edhe më shumë nga arsimi i lartë! Qeveria dhe Ministria e Arsimit korrën atë çka kanë mbjell. Turpi qoftë mbi ta”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje në shkrimin e bërë, Rexha ka thënë se është mirë që Evropa e di se pa arsim cilësor nuk ka progres.
“Nëse lexohet me kujdes vendimi i ENQA-së, një nga arsyet kryesore e mos akreditimit, sipas ekipit vlerësues që kanë vizituar AKA dhe institucionet tjera, citohet mungesa e konsensusit të gjerë për cilësinë në arsimin e lartë! Sa mirë që Europa e di që pa arsim cilësor nuk ka progres! Prosperiteti i një vendi varet direkt nga cilësia në arsim. Cilësinë në arsim duhet ta shohim të gjithë njëjtë, të domosdoshme dhe të pakalueshme! Kosova mund të ri-kthehet në ENQA dhe EQAR, jo me herët se dy vite, nëse të gjithë ne u themi qartë fëmijëve tanë se vendet e punës ku kërkohet letra tani më janë zënë, dhe ata i pret vetëm tregu privat i punës, ku kërkohet vetëm dija.
Uroj që në këtë kohë fushate dikush tua përkthej udhëheqësve tanë këto kërkesa të ENQA, që janë për të mirën dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë, se pa arsim cilësor krejt premtimet tjera, edhe sikur të realizohen, nuk kanë kuptim”, vijon shkrimi i Rexhës.
Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASht), përmes një komunikate dërguar mediave ka thënë se ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.
Megjithatë, MASht bën të ditur se për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar. Prandaj, sot Ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim./Telegrafi/