Varianti i coronavirusit i zbuluar në Britaninë e Madhe thuhet se është deri në 70 për qind më ngjitës. Gjithnjë e më shumë vende në të gjithë botën po raportojnë rastet e para të infektimeve me mutacionin e ri.
Në kryeqytetin spanjoll Madrid mutacioni u konstatua në katër vetë, tha zëvendësministri i shëndetësisë, Antonio Zapatero, në një konferencë shtypi. Të katër personat e infektuar kohët e fundit kishin ardhur nga Britania e Madhe.
Asnjë nga katër personat e infektuar nuk ka simptoma të rënda, tha Zapatero.
“Ne e dimë që ky variant transmetohet më lehtë, por nuk çon në sëmundje më të rënda”.
Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Në tri rastet e tjera të dyshuara, rezultatet e testit janë ende në pritje.
Suedia dhe Franca njoftojnë për rastet e para
Varianti i ri i virusit është shfaqur edhe në Suedi.
Sipas autoriteteve shëndetësore suedeze fjala është po ashtu për një person, që kishte ardhur nga Britania e Madhe dhe tani gjendet në karantinë. Raste të mëtejshme të variantit të ri të virusit ende nuk janë gjetur.
Edhe Franca njofton se një person doli për herë të parë pozitiv me variantin e ri të virusit të zbuluar në Britaninë e Madhe.
Fjala është për një banor nga qyteti Tours që ishte kthyer nga Britania e Madhe më 19 dhjetor dhe është në karantinë, njoftoi Ministria franceze e Shëndetësisë. Ai erdhi nga Londra dhe shfaqi simptoma, por është mirë.
Japonia dhe Filipinet kufizojnë hyrjen e të huajve
Japonia ndërmori menjëherë masa të drejtpërdrejta duke ndaluar që nga e hëna hyrjen e të huajve në vend.
Sipas gazetës Nikkei ky rregull është në fuqi deri në fund të janarit. Shkas është zbulimi i variantit të ri të virusit tek persona që kanë ardhur nga Britania e Madhe.
Edhe presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, zgjati gjithashtu vendimin për ndalimin e fluturimeve nga Britania e Madhe.
Kjo vlen deri në mes të janarit në mënyrë që të parandalohet përhapja e variantit të ri të virusit.
Ai gjithashtu dha urdhër që pasagjerët që vijnë nga Britania e Madhe, si dhe nga vendet ku është zbuluar varianti i ri më infektues COVID-19, përfshirë Hong-Kongun, Singaporin, Australinë dhe Japoninë, duhet të qëndrojnë në një karantinë 14-ditore. Presidenti Filipine Rodrigo Duterte zgjati ndalimin e fluturimit nga Britania e Madhe.
Qeveria britanike njoftoi për zbulimin e një mutacioni të ri të coronavirusit rreth një javë më parë.
Ky mendohet se është deri në 70 për qind më ngjitës se varianti i mëparshëm.
Ky lajm shkaktoi shqetësim në të gjithë botë dhe më shumë se 50 shtete vendosën ndalimin e hyrjes së udhëtarëve nga Britania e Madhe. /DW/