Telegrafi

Përgjysmohen investimet kineze në vendet e Bashkimit Evropian

Investimet e Kinës në Evropë ishin dukshëm më të ulëta vitin e kaluar sesa vitet e mëparshme. Por, Gjermania ende është ndër vendet me investimet më të mëdha nga ky vend.

Sipas studimit të paraqitur nga Instituti për Studime kineze Merics dhe grupi Rhodium, investimet e drejtpërdrejta kineze në Bashkimin Evropian dhe në Britaninë e Madhe kanë rënë 45 për qind krahasuar me një vit më parë dhe tani arrijnë shifrat prej vetëm 6.5 miliardë euro investime në vit.

Ky është niveli më i ulët i investimeve të drejtpërdrejta kineze në BE dhe Britani të Madhe në dekadën e fundit.

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë ende destinacionet kryesore për investime të drejtpërdrejta kineze në Evropë. Gjermania është në vendin e parë, ndërsa Britania e Madhe është ende në vendin e tretë, ndonëse investimet direkte nga Kina në këtë vend kanë rënë 77 për qind. Polonia është shndërruar vitin e kaluar në një prej vendeve më atraktive për investime të drejtpërdrejta nga Kina, pas një promovimi që është bërë atje.

Studimi thotë se tendenca e uljes së investimeve po vazhdon edhe sivjet, sepse investimet kineze kanë rënë edhe në tremujorin e parë të vitit 2021. Evropa mbetet një vend tërheqës për investimet kineze, por pandemia COVID-19 ka penguar pagesat dhe investimet e mëdha të kapitalit kinez në tregun evropian. E gjitha kjo ka shkaktuar uljen e investimeve kineze në këto vende.

Disa vende të BE-së, duke përfshirë Italinë, Francën, Poloninë dhe Hungarinë, kanë forcuar vitin e kaluar mekanizmat e tyre të rishikimit për investime të drejtpërdrejta nga vendet e treta, që do të thotë se disa ndërmarrje kineze nuk kanë mundur të investojnë kapitalin e tyre në këto vende.

Ndërkohë që tensionimi i raporteve mes BE-së dhe Kinës mund të vështirësojë edhe më shumë raportet ekonomike mes tyre dhe të pengojë investitorët kinezë në të ardhmen, vuri në dukje Merics me rastin e prezantimit të studimit. /Deutsche Welle/