Një Qeveri që do të kishte 15 Ministri, do të bënte që ekzekutivi të ishte më efikas dhe që Kuvendi do të kishte mundësi që të ushtronte më shumë kontroll.
Kështu është thënë në debatin e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku temë e diskutimit ka qenë “Përgjysmimi i numrit të ministrive përmes një ligji për qeverinë: një debat për kushtetutshmërinë dhe gatishmërinë politike”.
Ligji për Qeverinë u pa si i domosdoshëm për të pamundësuar abuzimin që bëhet me numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe këshilltarëve të tjerë.
Koordinatori nacional për reforma, Besnik Tahiri, ka prezantuar projektligjin për Qeverinë ku tha se sipas tij 15 ministri janë të mjaftueshme për një funksionim normal të Qeverisë.
Ai tha se ky ligj është i domosdoshëm për të bërë përcaktimin e numrit të ministrive dhe të anëtarëve të tjerë të Qeverisë
“Unë si koordinator mendoj që vendosja e tavanit duhet numri dhe unë mendoj që në bazë të kësaj që e kam studiuar pa ndonjë problem të madh 15 ministri janë të mjaftueshme për funksionimin e Qeverisë. Mund të them me përgjegjësi të plotë që në vlerësimin dhe analizat që ne i kemi bërë, në konsultimet e brendshme dhe të jashtme, Kosova mund të funksionojë shumë mirë me 15 ministri dhe në secilën ministri ka dy zëvendësministra me portofolio, zëvendësministra që nuk kanë vetëm pozicion politik po kanë detyra”, tha ai.
Tahiri tha se në këtë projektligj mandati i një anëtari të Qeverisë mund të përfundojë kur ai refuzon 6 thirrje radhazi të Kuvendit apo një komisioni parlamentar përgjegjës për dikasterin përkatës për t’u dëgjuar.
Me ligj është paraparë edhe madhësia e kabineteve politike të anëtarëve të Qeverisë, ku kryeministri mund të emërojë deri në 10 këshilltarë politikë. Ndërsa, zëvendëskryeministrat mund të emërojnë deri në 5 këshilltarë politikë, aq sa munden edhe ministrat.
Që ky ligj të miratohet, Tahiri tha se ka mbështetjen e plotë të partnerëve të koalicionit qeverisës.
“Unë e kam mbështetjen e plotë të kryeministrit, e kam pasur edhe në pakon e reformave shtetërore, e kam edhe për këtë ligj dhe i kam duart e lira me e prezantua diçka që është e mirë për Kosovën dhe diçka që është e parakonsultuar me njerëz që ndoshta e njohin këtë temë ma mirë se unë. Po ashtu, më duhet ta them që e kam edhe mbështetjen e liderëve që janë në koalicion, duke filluar prej kryeparlamentarit e poshtë. Me përgjegjësi të plotë, kam biseduar kur e kam marrë këtë detyrë edhe me kryeparlamentarin edhe me Limajn, me të gjithë kam biseduar, nuk ka dikush një njeri që ka ardhur të më thotë mos e bë ose shiko është pozicion i imi, të gjithë kanë qenë amon veç le të bëhet mirë. Po ashtu, ju them me përgjegjësi të plotë që kam folur me partitë opozitare dhe nëse kam një thirrje për Kuvendin e Kosovës ajo do të jetë që para se ta dërgojmë në Qeveri, e unë pjesën time do ta bëjë, do të konsultohem me partitë parlamentare, ejani dhe jepni komentet që ta kemi një draft të konsoliduar”, tha ai.
Përgjysmimi i numrit të ministrive sipas profesorit Visar Morina, do të ndikonte që ekzekutivi të ishte më efikas.
“Krejt logjika e një nisme të tillë është kursimi i parasë publike, është racionalizimi i vendimmarrjes, shmangja e dublifikimeve në kuptimin e institucioneve në nivelin qendror dhe janë edhe dy elemente të rëndësishme përse unë e mbështesë fuqishëm një iniciativë të tillë. E para është funksionimi i ekzekutivit, unë mendoj se një ekzekutiv me më pak ministri është shumë më efikase, është në gjendje që të sigurojë një vendimmarrje shumë më të shpejtë dhe është në gjendje mendoj që t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve në një kohë shumë më të arsyeshme, në raport me një Qeveri që shkon me mbi 20 ministri. E dyta, ne jemi demokraci parlamentare, ekzekutivi legjitimohet prej Parlamentit dhe mbikëqyret nga Parlamenti, është shumë më e lehtë edhe për Parlamentin si organ ligjvënës që të ushtrojë një kontroll shumë më efikas në raport me një ekzekutiv që është më kompakt, që është më racion al në raport me një Qeveri që në radhët e veta numëron 20 e sa ministri”, tha ai.
Sa i përket çështjeve kushtetuese se a ka pengesa që ky ligj të miratohet, Morina tha se nuk sheh aspekte që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Ai tha se nuk sheh probleme kushtetuese që prish frymën apo parimin e ndarjes së pushteteve.
Por, ndryshe mendon profesori Robert Muharremi, sipas të cilit projektligji për Qeverinë mund të përfundojë njëjtë si projektligji për Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë.
Ai tha se Kushtetuta nuk i jep Kuvendit kompetencë që me ligj ta rregullojë numrin e anëtarëve të Qeverisë.
“Na jep parametrat kryesor të cilat vlejnë edhe për ligjin për Qeverinë. A është përcaktimi i numrit të ministrive nga Kuvendi i Kosovës kompetencë e Kuvendit apo mos po cenon kompetencën e Qeverisë. Po e marr sikur Gjykata Kushtetuese një qasje tekstuale të interpretimit…Nëse e marrim nenin 65 kompetencat e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese thirret tek kompetencat e Kuvendit, asnjë dispozitë e nenit 65 nuk i jep Kuvendit të Kosovës kompetencë me ia caktua Qeverisë numrin e ministrive. Kushtetuta thotë Kuvendi mbikëqyrë punën e Qeverisë, por jo e organizon. Nëse shkojmë tek nen i 95 paragrafi 2, ka të bëjë me emërimin e Qeverisë, nuk ka kurrfarë numri sa ministri me qenë…Fakt është që Kushtetua nuk i jep Kuvendit kompetencë që me ligj me e rregullua numrin e anëtarëve të Qeverisë”, tha ai.
Për këto arsye, Muharremi tha se edhe koordinatorit nacional për reforma Bensik Tahirit, i ka propozuar që të ndërrohet Kushtetuta dhe të mos mundohen të rregullojnë këtë çështje përmes ligjit i cili mund të shpallet antikushtetues.
Për rëndësinë që ky ligj të miratohet ka folur Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili tha se dimensionet që i rregullon ligji janë me vlerë jo vetëm fundamentale kushtetuese, por kanë shumë vlerë të madhe edhe sa i përket përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë politike të një Qeverie.
Sipas tij mbirregullimi i Qeverisë është nevojë e kontekstit aktual, nevojë për ta parandaluar abuzimin që bëhet sot.
“Nëse Kosova do të kishte një kontekst tjetër nga ai që ka sot, ligji për Qeverinë do të ishte i panevojshëm sepse nuk do të kishte asnjë kryeministër, asnjë koalicion që do të merrte përsipër pa bërë një skandal siç është ky sot, që një Qeveri të ketë 21 Ministri, 5 zëvendëskryeministra e një numër të pamatshëm të zëvendësministrave. Por ja që përgjegjësia politike, morali politik, sanksionet e votuesit ndaj partive në pushtet, klientelizmi i gjerë e bëjnë të pamundur kontrollin e abuzimit të Qeverisë. Mënyra se si është strukturuar Qeveria e sotshme dhe si janë strukturuar edhe Qeveritë e kaluara është skajshmërisht abuzive, ne kemi bërë Qeveri për të rehatuar çdo interes të çdo anëtari të një koalicioni qeverisës”, tha ai.
Korenica tha se Kosova aktualisht ka Ministri të cilat në një shtet normal jo që nuk do të duhej të ekzistonin, por nuk ka asnjë logjikë në kuptim të kompetencave që ato të ekzistojnë të ndara. Një e tillë sipas tij është Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. /kp/Telegrafi/