Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohen dy çështje.
Kështu ka deklaruar në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri ka thënë se në emër të 41 deputetëve kanë ftuar seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për “faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit” dhe për “përgjimet në sektorin e energjisë elektrike”.
“Nesër nga ora 12:00 në emër të 41 deputetëve të opozitës kemi ftuar Seancë të Jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të trajtuar keqpërdorimet e rreth 11 milionë eurove të faljes së kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalanzhuese të ujit nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, për të cilin rast tashmë ka edhe të arrestuar, e procesi është nën hetime penale. Në këtë seancë, domosdoshmërisht do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetik nga Dejona Mihali”, ka thënë Tahiri.
Në kërkesën drejtuar kryeparlamentarit, opozita ka propozuar rezolutë që kërkon që Prokuroria të nisë hetimet dhe që të anulohen vendimet për faljen e borxheve të ambalazhuesve.
Seanca të jashtëzakonshme ka pasur edhe të premten, për bisedat e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, por kjo seancë u mbajt pa praninë e mazhorancës. /Telegrafi/